Spanja përgatit kompensime pas tragjedisë me 69 viktima, Puente të martën përballë deputetëve

Pas aksidentit hekurudhor që u mori jetën 69 personave javën e kaluar, qeveria spanjolle po harton një paketë financiare emergjente në mbështetje të të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave. Ndërkohë, këtë të martë ministri i Transporteve, Óscar Puente, do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për tragjedinë.

Dalja e Puentes përpara Deputacionit të Përhershëm të Parlamentit është parashikuar për në orën 17:00, me kohën lokale. Në periudhën ndërmjet legjislaturave, ky organ ka kompetenca të kufizuara parlamentare, përpara zgjedhjeve të planifikuara më 29 nëntor.

Të lidhura

None found

Përplasja mes trenave të shpejtësisë së lartë shënon tragjedinë më të rëndë hekurudhore në Evropë që nga viti 2013. Pas saj janë shtuar thirrjet që Puente të largohet nga detyra, kërkesë së cilës i janë bashkuar edhe aleatë të koalicionit qeverisës.

Në të njëjtën linjë hekurudhore, ky është aksidenti i dytë brenda këtij viti. Në janar, një tjetër tragjedi kishte shkaktuar vdekjen e 46 personave.

Puente nuk ka pranuar të dorëhiqet, pavarësisht kritikave ndaj tij. Sipas ministrit, detyrimi i tij është të përballojë situatën, t’i bëjë të qarta për publikun rrethanat e ngjarjes dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për një transport hekurudhor më të sigurt.

Të hënën, kryeministri Pedro Sánchez bëri të ditur se ekzekutivi do të miratojë masa që dyfishojnë dëmshpërblimet për viktimat, të parashikuara nga sigurimi i detyrueshëm i udhëtarëve.

Krahas kësaj, parashikohet që kompensimet të paguhen më shpejt dhe të përmirësohet ndihma financiare për ata që, për shkak të aksidentit, nuk janë përkohësisht në gjendje të punojnë.

Duke folur në Barcelonë, në forumin “World in Progress”, Sánchez e vendosi mbështetjen e personave të prekur nga tragjedia në krye të përparësive të qeverisë. Ai theksoi gjithashtu nevojën që qytetarëve t’u rikthehet sa më shpejt besimi te transporti hekurudhor i shpejtësisë së lartë.

Miratimi i paketës nga Këshilli i Ministrave pritet këtë të martë. Po ashtu, Puente do të prezantojë masa të tjera për rritjen e sigurisë.

Në deklaratën e tij të së premtes, ministri tha se sistemi i sinjalizimit hekurudhor kishte pushuar së funksionuari për shkak të një defekti kompjuterik. Për vendimin që qendra e kontrollit mori më pas, duke i dhënë leje trenit të vijonte rrugën, ai u shpreh se ishte i pashpjegueshëm.

Vlerësimet e para të hetuesve e vendosin shpejtësinë e trenit në çastin e përplasjes mes 160 dhe 200 kilometrash në orë.


Shtuar më 3.11.2026 14:44

Quantcast