Një 20-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi u kap duke qarkulluar me automjet, në të cilin mbante një pistoletë dhe municion luftarak.
Ngjarja u konstatua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të cilat, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, ndaluan për kontroll automjetin që drejtohej nga i riu, në rrugën “Kastriotët”.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua drejtuesi i automjetit, 20-vjeçari me inicialet S. D., banues në Tiranë.
Ndërkohë, dy familjarë të tij, përkatësisht 51 dhe 23 vjeç, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Sipas Policisë, ata kanë kundërshtuar efektivët gjatë kontrollit të banesës, me qëllim pengimin e kryerjes së tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.