Shkrimtari Ben Blushi ka folur për librin e tij më të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës”, në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko. Blushi rrëfeu arsyet që e shtynë të shkruante për historinë e kryeqytetit, duke u ndalur te personazhet, ngjarjet dhe periudhat që kanë formësuar Tiranën ndër shekuj.
Ai tha se për kryeqytetin shqiptar ka më pak libra në krahasim me qytetet e tjera europiane dhe se një pjesë e madhe e historisë së tij mbetet ende e paeksploruar për shkak të mungesës së dokumentacionit arkivor. Përmes librit, shkrimtari synon të plotësojë këtë boshllëk dhe t’u tregojë lexuesve se si Tirana u shndërrua nga një fshat oriental në kryeqytet.
Blushi shpjegoi edhe strukturën e veçantë të librit, i cili përfshin rreth 100 personazhe, 38 kapituj dhe shtrihet në një periudhë prej 400 vitesh. Ai e ka konceptuar rrëfimin si një serial të Netflix, me histori dhe personazhe realë.
“Kam lindur në Tiranë. Është qytet që e dua shumë. Nga kujtimet e mia dhe të prindërve, është historia dhe keqardhja për Tiranën. Për Tiranën ka më pak libra se për qytetet e tjera europiane. Ka errësirë të madhe arkivore, gati 300 vite që janë të errëta. 100 vitet e fundit dimë shumë më shumë. Për të mbushur këtë boshllëk, se jetojnë 1 mln njerëz këtu, duhet të dinë se çfarë ka ndodhur në këtë qytet. Kush e themeloi, kush e ndërtoi, nga një fshat oriental u bë kryeqytet. Kush janë njerëzit që e ndërtuan.
Tirana që njohim është e dokumentuar, ka datë të themelimit 1614 nga Sulejman Pashë Bargjini, ndërsa libri ka rreth 100 personazhe. Libri është i shkruar si serial i Netflix. Jam përpjekur ta strukturoj, pasi kemi stresin se njerëzit lexojnë shumë pak, kam pak kohë. Ndaj libri është në 400 vjet, në 100 personazhe dhe 38 kapituj. Jam i kënaqur me librat e mia, por sa herë që kam një të tillë, humbas nga një mik. Shpresoj që mos të humbas një tjetër mik. Të lexosh këtë libër, do të duket sikur je në Paris. Të jesh personazh i këtij libri do të thotë; ose të jesh i çmendur, ose duhet të kesh vdekur. Kush është me emër në këtë libër, nuk jeton më. Për fat, ata që janë mes nesh, që janë personazhe të librit, janë miq të mi. Ata që janë të gjallë, gjithmonë mërziten, të vdekurit nuk e kanë ‘problem’.”, tha ai.
