Michael Carrick nuk e ka harruar kurrë mbrëmjen magjike të 10 prillit 2007, kur Manchester United shkatërroi Romën me rezultatin 7-1 në “Old Trafford”, në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Champions League. Gati dy dekada më vonë, ish-mesfushori anglez e kujton atë përballje me nostalgji, pikërisht në prag të një tjetër sfide ndaj skuadrës italiane.
Në atë kohë, Manchester United drejtohej nga legjenda Sir Alex Ferguson dhe ishte një prej skuadrave më të frikshme në Europë. Carrick ishte një nga lojtarët kyç të atij ekipi, jo vetëm për rolin e tij në mesfushë, por edhe për ndikimin në dhomat e zhveshjes. Në fitoren historike ndaj Romës, ai realizoi dy gola, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të asaj mbrëmjeje.
“Nuk është diçka që ndodhi dje, kanë kaluar shumë vite… Ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme, ndoshta më e bukura e gjithë karrierës sime. Kam qenë shumë me fat që isha pjesë e saj”, u shpreh Carrick.
Por futbolli ka ndryshuar shumë që nga ajo kohë. Manchester United i sotëm është larg shkëlqimit të dikurshëm dhe po kalon një periudhë të vështirë, me rezultate zhgënjyese si në Europë, ashtu edhe në kampionat. Kontrasti me epokën e Fergusonit është i dukshëm, ndërsa Carrick tashmë e drejton skuadrën nga pankina.
Në krahun tjetër, Roma paraqitet në një situatë shumë më pozitive, duke konkurruar në nivele të larta në Serie A dhe duke kërkuar të konsolidojë pozitat edhe në Europë.
