Ishte sekret publik që e dinin të gjithë, por askush nuk fliste për të. Armiqësia e egër mes kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës u duk sikur u shpik nga hiçi dhe hapi një front i ri lufte. Kësaj here brenda PS-së. Njëra anë e llogores qëndron në katin e dytë të godinës së kryeministrisë, ana tjetër është e mbyllur me kyç në qelitë e burgut të Fierit në katin e parë. Edi Rama dhe Erion Veliaj, çifti i dy vëllezërve të hershëm në politikë tashmë i kanë shpallur sfidë njëri-tjetrit. I pari e kërcënon edhe me “një dënim me 100 vjet burg për minim të rendit kushtetues, tjetri e sfidon t’i nxjerrë provat, në të kundër të ikë!
Debati publik që pasoi shpalljen e luftës mes dy socialistëve në vështirësi, përgjithësisht u përqëndrua në detaje “anësore”, në probleme të formës, duke shmangur në mënyrë të habitshme qasjen drejt thelbit të historisë së re kurioze. A kishte tagër ministri i drejtësisë të vizitonte një të paraburgosur në qeli, a mund të hynte aty në orët e vona të mbrëmjes, a ishte kishte shkuar aty për të përcjellë një mesazh ultimativ të kryeministrit? A gënjen Veliaj që pohon shantazhin politik apo ministri që e mohon dhe betohet në emër të dy botëve, këtej dhe andej, se kishte shkuar aty si mik? Të gjitha këto janë vërtet pyetje të rëndësishme dhe kërkojnë domosdoshmërisht përgjigje. Dhe transparencën e munguar. Por ato sërish janë larg rëndësisë reale që ka akti. Ai është akt lufte! Dhe për t’u se çdo të thotë kjo, akti i shpalljes së luftës, duhet parë me sytë e dy sfiduesve.
Rama kërkon me çdo kusht kontrollin e bashkisë së Tiranës. Në afat të shkurtër në muajt e mbetur të mandatit të Veliajt. Dhe në afat të gjatë, do fitoren me çdo kusht të saj. Sondazhet me të cilat ai është i fiksuar, janë larg optimizmit që i dëshmonin të njëjtat sondazhe në 2023-shin kur Veliaj triumfonte mbi Këlliçin në garën për Tiranën. Një skenar humbës për socialistët, në rastin më të keq të kryeqytetit, do të ishte oguri më i zi për zgjedhjet e përgjithshme, kurdo që ato mund të mbahen në Shqipëri. Ndaj Rama kërkon që në mos ta largojë, të asnjanësojë ndikimin e mundshëm të Veliajt në bashkinë e Tiranës. Dhe nuk mbaron këtu. Në mos paranojë e kuptueshme apo servirje malinje për paranojën e tij, njerëz pranë Ramës e bëjnë fakt të kryer një rol të dyfishtë e jo anësor të Veliajt në nxitjen e protestave të Tiranës. Si frymëzues dhe financues të tërthortë të tyre. “Po minon rendin kushtetues”, pretendohet se ka kërcënuar e paralajmëruar Rama. Në të njëjtën mënyrë që është paralajmëruar një tjetër personazh i njohur, banor po në qelitë e burgut të Fierit, për mundësinë që të ketë gisht “në frymëzimin dhe financimin e protestave në Tiranë”.
Veliaj ka dy prioritete të tjera. I pari, afatshkurtër dhe urgjent është që të sigurojë gjykimin në liri. Një kërkesë që i është refuzuar kokëfortësisht dhe padrejtësisht nga sistemi i drejtësisë në vend. Koha kur këtë të drejtë do ta marrë pa dyshim në Strazburg, i duket shumë e largët dhe sakrifica e pritjes, i duket shumë e tepërt. Prioriteti tjetër afatgjatë i tij është rikthimi me një projekt e rol qëndror në politikën e vendit. Nga e cila nuk e pengon vetëm dera e mbyllur e qelisë dhe të panjohurat që rrjedhin nga procesi gjyqësor. Fantazma e Fatos Nanos që iku nga Tirana si i burgosur dhe u kthye si kryeministër i vendit, e viziton rregullisht në vetminë e qelisë së tij. Por deri në këtë kapërcim fantastik, me shumë pengesa rrugës, kryesorja prej tyre mban emrin e Edi Ramës. Pikërisht njeriut që e solli në politikë dhe i dha karburantin fillestar të karrierës së tij. Armik me opozitën, armik me Ramën, armik me pjesën dërmuese të elitës së medias shqiptare, Veliaj sheh si aleat në këtë sipërmarrje në kufijtë e të pamundurës vetëm moshën e tij të re, magjinë e protestës dhe ndikimin e mundshëm të ish-miqve të përbashkët. Kryesisht nga segmente të caktuara e me pushtet të dukshëm dhe të fshehtë në Shtetet e Bashkuara. Thënë troç, Veliaj kërkon të zerë vendin e Ramës në “dashurinë” e demokratëve amerikanë, të cilët shohin me dyshim obsesionin e kryeministrit për të siguruar afërsi me presidentin Trump.
E vetmja mënyrë për ta bërë këtë gjë, është që Veliaj vetë të përcaktojë fatin e tij. Do të vazhdojë të sillet si një viktimë e sistemit gjyqësor, përfshi edhe prapavijat politike që mund ta frymëzojnë atë apo do të bëjë beteja politike? Do të ankohet për transferimin, ajrimin, vizitat e munguara, tualetin e papërshtatshëm në qeli apo do të identifikojë pengesat në rrugën e tij për rikthim? Tashmë ai e ka kuptuar se shpresat që kishte varur tek “marrëdhënia e plazmuar në vite të vështira” me Ramën, ishin vetëm iluzion naiv. Në politikë nuk ka dashuri të përhershme, por ka vetëm interesa të përkohshme. Njëlloj si në një lojë të vjetër tavoline me lëvizje me detyrim dhe përcaktim, e vetmja rrugë për Veliajn kalon nga kalvari i mundimshëm i sfidimit të ish-vëllait të tij. Me të cilin tashmë janë sërish në vëllazëri, por jo më si Edi e lali Eri, por si Kaini dhe Abeli. Të dy janë dëshmitarë të njëri-tjetri për kohën kur i kanë blatuar Perëndisë së tyre të përbashkët, pushtetit, pothuaj të njëjtat dhurata, por që Perëndia jua “shpërbleu” në mënyra të ndryshme e ekstreme. Xhelozia, zilia dhe hakmarrja janë tashmë thikat, por dhe mburojat e tyre. Edhe më keq do të shkojë nesër! Sepse nuk ka armiqësi më të egër sesa urrejtja që lind në fatkeqësi nga miqësia e krijuar në kohë të lumtura!
