Irani ka publikuar pamje të një rrjeti të gjerë tunelesh nëntokësore, të pajisura me raketa lundruese kundër anijeve, në një kohë kur tensionet me Shtetet e Bashkuara po rriten dhe shtohen shqetësimet për mundësinë e një fushate të re të bombardimeve amerikane ndaj Teheranit.

Videoja, e publikuar në llogarinë zyrtare të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Telegram, shfaq rreshta të tërë raketash të vendosura brenda një kompleksi nëntokësor që ngjan me një labirint. Në pamje shihet gjithashtu edhe lëshimi i një rakete nga një zonë shkretinore.


Publikimi vjen në një moment kur disa vende arabe të Gjirit thuhet se janë paralajmëruar nga SHBA-ja të përgatiten për një fushatë të shkurtër, por intensive bombardimesh pas zgjedhjeve të mesmandatit në Amerikë, transmeton Telegrafi.

Sipas zyrtarëve amerikanë, SHBA-ja kishte kryer një ditë më parë sulme në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit. Ata i përshkruan këto goditje si të kufizuara dhe me karakter mbrojtës, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve dhe dy zyrtarëve të njohur me lëvizjen, Pentagoni po dërgon nga Teksasi një sistem shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Izrael, për të përforcuar mbrojtjen kundër raketave.

Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi gjithashtu se ushtria amerikane ka zhvendosur trupa nga disa baza në Lindjen e Mesme, ku ato mund të ishin më të ekspozuara ndaj sulmeve. Forcat amerikane në rajon po rimbushin rezervat e municioneve, ndërsa avionët bombardues dhe luftarakë po përgatiten për operacione të mundshme.

Sipas raportimeve, një përshkallëzim i ri ushtarak do të kishte për qëllim dobësimin e kapaciteteve të Teheranit dhe ushtrimin e presionit ndaj tij për të arritur një marrëveshje me Uashingtonin.

Po ashtu, pritet që muajin e ardhshëm në rajon të mbërrijnë një grup tjetër sulmues aeroplanmbajtësesh dhe një njësi ekspedituese e marinsave amerikanë, të cilat do t'i bashkoheshin një force detare prej rreth 20 anijesh që tashmë operojnë në Lindjen e Mesme. Megjithatë, disa prej anijeve aktuale mund të largohen në kuadër të rotacionit, raportoi gazeta.

Në këtë klimë tensioni, ish-agjenti i CIA-s, John Kiriakou, ka pretenduar se presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e përdorimit të një arme bërthamore taktike për të shkatërruar kompleksin nëntokësor iranian në malin Pickaxe.

Kiriakou, i cili punoi në CIA nga viti 1990 deri më 2004, tha në emisionin “Piers Morgan Uncensored” se kishte dëgjuar nga kontakte të tij në Shtëpinë e Bardhë se Trump po e shqyrtonte këtë mundësi.

Ai pretendoi se synimi i presidentit amerikan mund të ishte jo vetëm shkatërrimi i objektit, por edhe thyerja e asaj që e quajti “tabuja e fundit”, në mënyrë që presidentët e ardhshëm të ndiheshin më të lirë për të përdorur armët bërthamore.

“Presidenti po shqyrton përdorimin e një arme bërthamore taktike kundër malit Pickaxe, në mënyrë që ajo të depërtojë aq thellë sa të shkatërrojë gjithçka që ndodhet nën tokë”, deklaroi Kiriakou, duke shtuar se një veprim i tillë do të ishte i çmendur.

Edhe ish-prezantuesi i Fox News, Tucker Carlson, kishte pretenduar më herët se Trump mund të ishte vetëm disa ditë larg një sulmi të tillë. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet amerikane dhe janë pritur me skepticizëm.

Përdorimi i armëve bërthamore do të përbënte një përshkallëzim të jashtëzakonshëm të konfliktit. Armët e tilla nuk janë përdorur në luftë që nga viti 1945, kur SHBA-ja bombardoi qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki.

Kompleksi në malin Pickaxe është përmendur më parë në lidhje me planet e Iranit për ndërtimin e centrifugave që do të mbështesnin programin e pasurimit të uraniumit. Vlerësohet se objekti është mjaftueshëm i madh për të strehuar një impiant pasurimi, ndonëse qëllimi i tij i vërtetë nuk është bërë plotësisht i qartë.

Bombat konvencionale depërtuese të bunkerëve deri më tani kanë hasur vështirësi për të shkaktuar dëme të mjaftueshme në objektin e ndërtuar thellë nën mal. Në këtë kontekst, në raportime është përmendur edhe mundësia e përdorimit të një bombe bërthamore taktike, si B61-11, me fuqi të raportuar prej 400 kilotonësh.

Shqetësimet u shtuan edhe më shumë pasi televizioni shtetëror iranian transmetoi udhëzime për qytetarët se si të vepronin në rast të një shpërthimi bërthamor. Sipas agjencisë saudite Al Arabiya, qytetarëve iu kërkua të strehoheshin pas një pengese, të shtriheshin në tokë dhe të mbulonin kokën e fytyrën, duke shmangur shikimin drejt dritës së fortë të shpërthimit.

Pas kalimit të valës goditëse, qytetarët u këshilluan të hynin në ndërtesën më të afërt, të mos qëndronin jashtë për të parë apo fotografuar pasojat dhe të qëndronin të strehuar për 24 orë, derisa autoritetet të jepnin njoftimin përfundimtar.

Ndërkohë, në Teheran janë regjistruar edhe protesta me tone të ashpra kundër Trumpit. Të martën në mëngjes, protestuesit dolën në rrugët e kryeqytetit me pankarta ku shkruhej “Trump duhet të vdesë”. Në sheshin Enghelab ishte vendosur gjithashtu një billboard me një imazh të montuar të presidentit amerikan pas hekurave, i shoqëruar me mbishkrimin “Ne do ta vrasim Trumpin”.

Pavarësisht retorikës së ashpër, përdorimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja të jashtëzakonshme për gjithë rajonin, pasi përhapja e ndotjes radioaktive mund të shtrihej në qindra kilometra.

Në anën diplomatike, Irani dhe SHBA-ja vazhdojnë të jenë larg një marrëveshjeje për përfundimin e luftës. Një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë Reuters të martën se ndërmjetësit nga Katari po intensifikojnë përpjekjet për të afruar qëndrimet e dy vendeve dhe për të shmangur një përshkallëzim të ri pas zgjedhjeve amerikane.

Sipas zyrtarit, përfaqësuesit e Katarit kishin udhëtuar të hënën në mbrëmje drejt Teheranit për të diskutuar një version të projektmarrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit, i cili ishte në shqyrtim prej tetë ditësh.

“Ndërmjetësit po punojnë intensivisht për të zvogëluar dallimet mes Teheranit dhe Uashingtonit”, tha zyrtari iranian, duke paralajmëruar se kushtet e Iranit duhet të plotësohen nëse SHBA-ja dëshiron rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një korridor jetik për furnizimin global me energji.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, konfirmoi se të dyja palët po shqyrtojnë propozimet e paraqitura nga ndërmjetësit. Ai tha se delegacioni që kishte udhëtuar në Teheran ishte kthyer në Doha, por negociatat po vazhdonin.

Sipas tij, përpjekjet e përbashkëta rajonale për të shmangur përshkallëzimin janë intensive dhe Katari vazhdon të shpresojë se mund të arrihet një marrëveshje që do t'i hapte rrugë negociatave të mëtejshme.


Një zyrtar i informuar për bisedimet tha se pritej që Uashingtoni dhe Teherani të jepnin përgjigjet e tyre brenda 36 orëve. Ai shtoi se ndërmjetësit kishin paraqitur një propozim të ri, i cili aktualisht po shqyrtohej nga të dyja palët.

Megjithatë, zyrtari iranian paralajmëroi se Teherani nuk do të pranonte “kërkesat e tepruara” të Uashingtonit dhe se bisedimet bërthamore mund të fillonin vetëm pasi të plotësoheshin kushtet e Iranit. Ai shtoi se çdo sulm amerikan do të merrte përgjigje të fuqishme, brenda dhe jashtë rajonit.

Pas lajmeve për përparim të mundshëm diplomatik, çmimet e naftës u rritën me rreth 1.3 për qind të martën, pasi një ditë më parë kishin rënë për më shumë se 7 për qind.

Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane deklaroi se kishte rrëzuar një dron amerikan MQ-9 dhe dy dronë të tipit Lucas në hapësirën ajrore pranë Ngushticës së Hormuzit.

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, tha se tashmë radha ishte e Uashingtonit për të vepruar, pasi Teherani kishte dhënë atë që ai e cilësoi si “një përgjigje të fuqishme dhe racionale”.

“Armiku kërkon ta detyrojë popullin iranian të nënshtrohet përmes kërcënimeve dhe veprimeve ushtarake, por gabon rëndë. Irani nuk do të nënshtrohet”, deklaroi Qalibaf.

Ai paralajmëroi se përgjigjja e Iranit ndaj çdo llogaritjeje të gabuar nga ana e SHBA-së do të ishte e paparashikueshme dhe nuk do të kufizohej nga kufijtë gjeografikë.

Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, Ali Abdollahi, tha se ushtria po përditëson listat e objektivave, ku përfshihen asetet amerikane dhe izraelite, dhe se do të reagojë menjëherë ndaj çdo kërcënimi.

Pas urdhrit të javës së kaluar nga lideri suprem, Ajatollah Mojtaba Khamenei, që forcat e armatosura të përgjigjen menjëherë dhe pa kufizime gjeografike ndaj çdo kërcënimi, zyrtarët dhe mediat iraniane kanë shtuar paralajmërimet për sulme ndaj bazave jashtë rajonit që përdoren për operacione kundër Iranit.

Gazeta iraniane e linjës së ashpër “Kayhan” shkroi të martën se, në rast të rifillimit të luftës, objektiva të mundshme mund të bëhen edhe instalimet amerikane në Britani, Itali, Greqi, Rumani, Shqipëri dhe Qipro.

Nga ana tjetër, Trumpi vuri në pikëpyetje mundësinë e rifillimit të sulmeve pas zgjedhjeve të mesmandatit. I pyetur të hënën nga gazetarët nëse po shqyrtonte goditjen e Iranit pas votimeve, presidenti amerikan u përgjigj shkurt: “Jo”.

Ai shtoi se besonte që Teherani dëshironte një marrëveshje sa më shpejt dhe se një ujdi mes dy vendeve “mund të arrihej”.

Konflikti, që tashmë ka hyrë në muajin e tetë, vlerësohej se deri në mesin e tetorit i kishte kushtuar SHBA-së rreth 47.1 miliardë dollarë, pa përfshirë dëmet e shkaktuara në bazat amerikane në rajon. Rreth 29 miliardë dollarë, ose afërsisht 60 për qind e kësaj shume, lidhen me shpenzimet për municione, përfshirë raketat Tomahawk dhe Patriot. /Telegrafi/