E ftuar në një lidhje Skype në edicionin e pasdites në SYRI TV, Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, deklaroi se pakënaqësia qytetare ndaj qeverisjes së Edi Ramës po kanalizohet te Partia Demokratike.
Duke komentuar rezultatet e sondazhit, Zhulali theksoi se ato rrëzojnë pretendimet se protesta ka goditur PD-në, ndërsa nënvizoi se partitë e vogla, edhe të marra së bashku, nuk arrijnë as gjysmën e peshës politike të demokratëve.
Ajo tha se Edi Rama po ushtron forcën e tij politike dhe e vetmja kundërpeshë reale për ta larguar nga pushteti është bashkimi i opozitës në një front të gjerë.
Zhulali u bëri thirrje të gjitha palëve opozitare të lënë mënjanë interesat individuale, duke theksuar se bashkimi është e vetmja alternativë për të arritur qëllimin e përbashkët të largimit të Ramës nga pushteti.
Pjesë nga intervista:
Sondazhi tregon që gjithë pakënaqësia me Ramën është kanalizuar kryesisht tek Partia Demokratike. Kjo, në një farë mënyre, e zhbën atë fabulën që ne kemi dëgjuar, të shumëfishuar nëpër ekranet tona gjatë kësaj periudhe, që koincidon veçanërisht në këtë periudhë, që kjo është një goditje. Protesta ka shënuar edhe një goditje për Partinë Demokratike. Ky sondazh tregon të kundërtën, por në të njëjtën kohë tregon edhe arsyen e këtij mobilizimi kaq të madh mediatik për të goditur Partinë Demokratike, sepse është kjo pakënaqësi, e cila nuk është kanalizuar tek partitë e vogla, sikur pretendojnë. Përkundrazi, ka ardhur tek Partia Demokratike.
Duke e lehtësuar po ashtu, ftohtë, me shumë qetësi, duhet kuptuar që jemi në një lojë force të Edi Ramës, sepse ai thotë se është i vetëm në këto pozita. Ai thjesht po ushtron forcën e tij dhe po mat forcën që ka. E vetmja kundërpeshë reale që e rrëzon Edi Ramën nga pushteti është bashkimi në një front të gjerë opozitar. Përkundrazi, kjo është një betejë e humbur. Pra, çdo parti e vogël që pretendon se, duke goditur Partinë Demokratike ose duke mos u bashkuar me Partinë Demokratike, do të rrëzojë Edi Ramën, gabon, sepse kjo është e pamundur.
Po t'i mbledhësh të gjitha partitë e vogla bashkë, ato nuk mund të bëjnë as gjysmën e peshës që ka Partia Demokratike, duke iu referuar edhe këtij sondazhi. Pra, jo vetëm peshës që e ka treguar edhe me votë, edhe në parlament, të shprehur edhe nëpër këshillat bashkiakë apo në bashki, por edhe në këtë sondazh. Të gjitha këto, të mbledhura bashkë, nuk bëjnë dot as gjysmën e Partisë Demokratike.
Duhet që të gjitha palët ta shikojnë me shumë gjakftohtësi, por edhe duke e llogaritur mirë se cili është qëllimi i gjithsecilit prej nesh.
Nëse qëllimi i përbashkët është përmbysja e regjimit të Edi Ramës, atëherë bashkimi është e vetmja mundësi që ne kemi. Dikush mund ta shikojë si dënim këtë gjë, por është një dënim që duhet ta bëjmë, ta marrim përsipër. Por dikush mund ta shikojë edhe në aspektin optimist. Sido që të jetë, bashkimi është e vetmja alternativë që ne kemi të gjithë së bashku për ta rrëzuar Ramën, duke qëndruar sot pranë. Nëse do ta shikonim veten në pasqyrë, duhet të kishim një fotografi të qartë se ku qëndron gjithsecili në këtë lojën e ushtrimit të forcës së Edi Ramës.
© SYRI.net