Në vitin 1998, një kompani misterioze argëtimi me seli në qendrën e lojërave të fatit në Makao bëri një blerje të pazakontë: një aeroplanmbajtëse. E quajtur Varyag, ajo ishte porositur fillimisht për Bashkimin Sovjetik, por kishte mbetur e papërfunduar dhe po ndryshkej në një kantier detar në Ukrainë. Blerësit kinezë deklaruan se synonin ta shndërronin këtë blerje prej 20 milionë dollarësh në një kazino lundruese.
Por kjo rezultoi të ishte një mbulesë. Kina, marina e papërvojë e së cilës nuk kishte ndërtuar apo operuar kurrë një aeroplanmbajtëse, vendosi ta përdorte Varyag-un si një eksperiment. U deshën 15 vjet për ta shndërruar këtë strukturë të amortizuar, të zhveshur nga pajisjet dhe në gjendje të rënduar, në një anije funksionale dhe për të mësuar se si të ngriheshin avionët prej saj. Në atë kohë, disa analistë ushtarakë detarë e përqeshën këtë përpjekje.
Sot, Kina ka tri aeroplanmbajtëse dhe një të katërt në ndërtim, për të cilën ekspertët perëndimorë besojnë se do të jetë me energji bërthamore. Ato janë pjesë e marinës më të madhe në botë, e cila tashmë ka një forcë luftarake prej më shumë se 400 anijesh dhe nëndetësesh, sipas shifrave zyrtare amerikane të siguruara nga The Wall Street Journal. Kjo do të thotë se flota kineze është rreth 35% më e madhe se Marina Amerikane, në numër trupash anijesh.
Ky është një nga zgjerimet më të mëdha të flotave ushtarake në kohë paqeje në historinë moderne.
Në çdo ditë të zakonshme, deri në 100 anije të marinës kineze mund të jenë në det, në disa prej rrugëve më të ngarkuara tregtare dhe të transportit në Azi, ku ushtrojnë presion ndaj rivalëve dhe stërviten për një konflikt të mundshëm me SHBA-në. Anijet më të mëdha dhe më të sofistikuara të flotës së saj depërtojnë gjithashtu rregullisht më larg, në ujëra që për një kohë të gjatë kanë qenë nën dominimin e forcave amerikane.

Ngritja e marinës kineze është nxitur nga shndërrimi i shpejtë i vendit në një gjigant të ndërtimit të anijeve dhe në kombin më të madh tregtar detar në botë. Kantieret e saj gjigante prodhojnë çdo vit më shumë se gjysmën e anijeve tregtare në botë dhe e shfrytëzojnë këtë kapacitet të jashtëzakonshëm për të ndërtuar anije luftarake me ritme të larta.
Përveç kësaj, Pekini ka financuar ndërtimin e një rrjeti të gjerë portesh jashtë vendit, nga Sri Lanka në Izrael dhe Peru. Roja bregdetare dhe flotat e peshkimit të Kinës janë më të mëdhatë në botë. Anijet e saj kërkimore po hartëzojnë me përpikëri oqeanet, nga Hendeku i Marianës deri në Arktik.
Për shekuj me radhë, Kina ka qenë një fuqi kontinentale. Shndërrimi i saj i papritur dhe historik në një nga fuqitë kryesore detare të botës po sfidon SHBA-në në një shkallë të papërjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ky transformim nxitet pjesërisht nga bindja e udhëheqësit kinez, Xi Jinping, se ngritja dhe rënia e kombeve është e lidhur në mënyrë të pandashme me oqeanet. Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë thonë se Kina po ndërton një fuqi detare gjithëpërfshirëse të llojit që Alfred Thayer Mahan, një prej strategëve më me ndikim detarë të Amerikës, ia rekomandonte vendit të tij më shumë se një shekull më parë.
“Xi Jinping është vetë më pranë doktrinës së Mahanit sesa çdo udhëheqës amerikan, ndoshta që nga Teddy Roosevelt”, tha Michael Studeman, i cili shërbeu për 35 vjet në Marinën Amerikane dhe doli në pension në vitin 2023, kur drejtonte Zyrën e Inteligjencës Detare. “Ai beson plotësisht, si dikush që ka studiuar historinë, se çdo fuqi e madhe, në fund të fundit, është një fuqi detare me shtrirje globale.”
Sipas Studeman, Amerika vuan nga “verbëria ndaj detit”. Ajo është një fuqi detare, por nuk është më një fuqi e mirëfilltë detare në kuptimin e gjerë të këtij termi.
Sot, shumë pak mallra transportohen me anije që mbajnë flamurin amerikan. Me një bazë industriale të dobësuar, Amerika prodhon shumë pak anije tregtare që lundrojnë në oqeane dhe ka hasur vështirësi në zgjerimin e marinës së saj, e cila ka rreth 290 anije. Programet për ndërtimin e fregatave, zgjatjen e jetëgjatësisë së kryqëzorëve të vjetër dhe operimin e një flote të madhe anijesh luftarake për operacione në ujërat bregdetare kanë ngecur.
Një raport i fundit i Departamentit të Marinës Amerikane theksonte se, megjithëse buxheti për ndërtimin e anijeve është dyfishuar gjatë dy dekadave të fundit, SHBA-ja sot nuk ka më shumë anije ushtarake detare sesa në vitin 2003. Ndërkohë, kundërshtarët e SHBA-së “ndërtuan flota me një ritëm që nuk ishte parë prej brezash”, thuhej në raport.
“Zgjerimi i shpejtë i marinës kineze ngre shqetësime serioze lidhur me ambiciet ushtarake të Pekinit”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit në një përgjigje me email ndaj pyetjeve. Sipas tij, Pekini po përdor kapacitetet e tij detare për të shtrirë fuqinë ushtarake, për të avancuar pretendimet e gjera territoriale dhe për të frikësuar vendet fqinje, duke sfiduar kështu interesat amerikane. Zëdhënësi shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë të mbrojë lirinë e lundrimit dhe të qëndrojë përkrah aleatëve dhe partnerëve të saj.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se administrata Trump po rikthen kapacitetet amerikane të ndërtimit të anijeve, po reformon trajnimin e fuqisë punëtore dhe po eliminon rregulloret e tepërta që pengojnë këtë sektor. “Presidenti Trump i ka dhënë përparësi rikthimit të dominimit detar amerikan, më shumë se çdo paraardhës i tij”, tha zëdhënësja Anna Kelly.
Ministria e Mbrojtjes e Kinës nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Më të mëdha, më të shpejta, më të fuqishme
Marina e madhe kineze po zgjeron misionet e saj në mënyra të paprecedenta dhe po zhvillon stërvitje me intensitet të lartë.
Në fillim të vitit të kaluar, anija luftarake kineze Zunyi lundroi në një itinerar të dukshëm rreth Australisë dhe zhvilloi stërvitje me municion të vërtetë rreth 5.000 milje larg bregdetit kinez, duke detyruar devijimin e fluturimeve komerciale. Disa muaj më vonë, anija 13.000 tonëshe zhvilloi stërvitje luftarake si pjesë e një grupi goditës të aeroplanmbajtëses. Pasi kaloi 200 ditë në det dhe përshkoi 50.000 milje detare, në janar u nis për të praktikuar gjurmimin dhe gjuetinë e nëndetëseve.
Anijet luftarake sipërfaqësore si Zunyi janë ndër më të sofistikuarat në botë. Ato dëshmojnë ambiciet e Pekinit për të ndërtuar një forcë detare të aftë të operojë në oqeane të hapura, të projektojë fuqi shumë larg brigjeve kineze dhe të mbrojë interesat e vendit jashtë kufijve të tij. Kina i klasifikon këto anije si destrojerë, por ato janë aq të mëdha dhe kanë një fuqi kaq të konsiderueshme zjarri, saqë SHBA-ja i klasifikon si kryqëzorë me raketa të drejtuara.
Që nga hyrja në shërbim e anijes së parë të këtij lloji në vitin 2020, nëntë të tjera janë shtuar me shpejtësi në flotë. Në dhjetor, njëra prej tyre lundroi në Paqësorin Perëndimor si pjesë e një grupi operacional me katër anije, ku përfshihej edhe një anije gjigante sulmi amfib, 35.000 tonëshe, e projektuar për të transportuar 30 helikopterë. Zyrtarët australianë, të shqetësuar nga ky zhvillim, dërguan një avion patrullimi për t’i monitoruar.
“Ata nuk po ndërtojnë një tufë korvetash të vogla”, tha Thomas Shugart, ish-nëndetës i Marinës Amerikane dhe studiues i lartë i asociuar në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane. “Ata po ndërtojnë një marinë të klasit botëror.”
Marina Amerikane vazhdon të ketë epërsi për nga tonazhi, çka do të thotë se anijet e saj janë mesatarisht më të mëdha. Por vitet e fundit, Kina ka nisur prodhimin në seri të anijeve gjithnjë e më të mëdha dhe më të afta, duke porositur sasi të konsiderueshme dhe duke i ndërtuar me ritme të shpejta. Të dhënat zyrtare amerikane, të siguruara nga The Wall Street Journal, tregojnë se që nga viti 2020, Kina ka shtuar 71 anije të mëdha luftarake dhe nëndetëse, 19 prej tyre vetëm vitin e kaluar.

Në ishullin Changxing, përballë Shangait, dy kantiere detare fqinje po prodhojnë me ritme të larta anije tregtare, nga transportues të gazit natyror deri te anije gjigante për kontejnerë, për një numër të madh klientësh ndërkombëtarë. Në të njëjtat kantiere mund të shihen duke u ndërtuar edhe një sërë anijesh luftarake të teknologjisë së lartë për marinën kineze.
Një analizë e imazheve satelitore të muajit maj tregon se në ishull po ndërtoheshin ose po mirëmbaheshin njëkohësisht dy anije amfibe, dy kryqëzorë, tre destrojerë, dy fregata dhe disa anije të tjera më të vogla ushtarake me trup të lyer në gri. Kina e ka shndërruar me shpejtësi këtë ishull në një qendër gjigante të ndërtimit të anijeve dhe një aset strategjik.
Vetëm pesë vjet më parë, në vendet ku sot po ngrihen disa prej këtyre anijeve kishte fusha të hapura. Ndërtimi i një kantieri të ri sapo kishte përfunduar kur, në vitin 2023, punonjësit nisën punën për një nga anijet më të mëdha amfibe në botë: Sichuan, me peshë 40.000 tonë, e cilësuar si një “aeroplanmbajtëse dronësh”.
Shfaqja e saj i befasoi analistët ushtarakë detarë, pasi ishte më e madhe dhe më e sofistikuar se anijet amfibe që marina kineze kishte nisur të merrte në dorëzim vetëm dy vjet më parë.
Në qershor të këtij viti, në njërin prej dy kantiereve të Changxing u shfaq diçka edhe më e papritur: një klasë e re nëndetësesh, me gjasë me energji bërthamore. “Të gjithë mbetëm disi të shtangur”, tha Shugart.
Kantieri Jiangnan, ku u shfaq nëndetësja, nuk njihej më parë si prodhues i mjeteve lundruese me energji bërthamore, por duket se i është ngarkuar në heshtje edhe kjo detyrë. Drejtuesit e Marinës Amerikane thonë se zgjerimi i kantiereve detare, të cilin e kanë ndjekur nga afër, e ka rritur “ndjeshëm” kapacitetin e Kinës për prodhimin e nëndetëseve, ndërsa vendi po kalon nga nëndetëset me motorë naftë-elektrikë te ato me energji bërthamore.
Deri në vitin 2040, zyrtarët amerikanë presin që nëndetëset kineze të operojnë rregullisht në Oqeanin Indian, në zonat detare pranë Arktikut dhe, ndoshta, edhe në Atlantik.

Uashingtoni beson se Kina është gjithashtu në prag të një zgjerimi të madh të flotës së saj të aeroplanmbajtëseve. Një raport i Pentagonit i vitit të kaluar, i bazuar në informacione të klasifikuara të inteligjencës, vlerësonte se deri në vitin 2035 Kina do të ketë gjithsej nëntë aeroplanmbajtëse, duke iu afruar barazisë me flotën amerikane prej 11 aeroplanmbajtësesh, numri i përgjithshëm i së cilës nuk pritet të ndryshojë gjatë kësaj periudhe. Ky do të ishte një zgjerim i jashtëzakonshëm për një vend që më pak se dy dekada më parë nuk kishte asnjë aeroplanmbajtëse në shërbim.
Në vitet 2000, SHBA-ja organizonte vizita të delegacioneve kineze në aeroplanmbajtëset amerikane. Gjashtë deri në dhjetë oficerë ushtarakë kinezë shpërndaheshin nëpër anije dhe bënin pyetje për mënyrën se si funksiononte çdo gjë, kujton Studeman, ish-drejtues i Zyrës së Inteligjencës Detare Amerikane.
“Qasja në atë kohë ishte që, nëse u tregonim se sa të aftë ishim, ata do të frikësoheshin dhe nuk do të mendonin kurrë se mund të na sfidonin”, tha Studeman. Ai shtoi se kishte qenë kundër këtyre shkëmbimeve, sepse “gjithçka që ata bënin ishte të mësonin se si operonim ne me aeroplanmbajtëset, në mënyrë që të mund të operonin të tyret”.
SHBA-ja mbetet standardi i artë për operimin e aeroplanmbajtëseve, por dislokimet e Kinës janë shtrirë vazhdimisht drejt zonave gjithnjë e më të largëta. Këtë e tregojnë lëvizjet e anijeve, të monitoruara nga Japonia dhe të ndara me The Wall Street Journal.
Në qershor të vitit 2025, një aeroplanmbajtëse kineze, e shoqëruar nga anije të tjera të marinës, lundroi në oqeanin përtej Japonisë dhe u përball me një grup të dytë goditës aeroplanmbajtësesh kineze gjatë stërvitjeve me skenar kundërshtar. Ishte hera e parë që Kina dërgonte njëkohësisht dy aeroplanmbajtëse në pjesën më të gjerë të Paqësorit Perëndimor. Një avion luftarak J-15, i ngritur nga njëra prej tyre, ndoqi për 40 minuta një mjet patrullimi japonez, duke iu afruar në një moment deri në 150 këmbë (rreth 46 metra) në distancë horizontale.
Për herë të parë vitin e kaluar, një aeroplanmbajtëse kineze lundroi përtej një vargu ishujsh në Paqësor, ku përfshihet edhe Guami, një qendër e rëndësishme ushtarake amerikane. Avionët luftarakë po praktikojnë qindra ngritje dhe ulje nga kuvertat e fluturimit. Në një skenë që të kujton filmin “Top Gun”, pamjet tregojnë ekuipazhe me jelekë me ngjyra të ndezura, të cilat japin sinjale me duar përpara nisjes së avionëve.

Në nëntor, pasi aeroplanmbajtësja më e re kineze, Fujian, hyri në shërbim, mediat shtetërore kineze e kremtuan “epokën e tri aeroplanmbajtëseve” si simbol të prestigjit global. Fujian është e pajisur me katapulta elektromagnetike për lëshimin e avionëve, një sistem që deri atëherë përdorej në aeroplanmbajtëse vetëm nga SHBA-ja. Ndërkohë, presidenti Trump ka udhëzuar Marinën Amerikane që aeroplanmbajtëset e ardhshme të ndërtohen pa këtë sistem dhe të rikthehen katapultat me avull, një vendim të cilit zyrtarët e Marinës Amerikane i kanë kundërshtuar prej kohësh.
Një burrë shteti i përqendruar te fuqia detare
Zhvendosja e vëmendjes drejt detit është në qendër të vizionit të Xi-së për ngritjen e Kinës. Pak kohë pasi u bë president, në vitin 2013, Xi u tha drejtuesve të lartë të Partisë Komuniste se kishte ardhur koha që vendi i tyre të shndërrohej në një “fuqi të madhe detare”. Ai vuri në dukje se si udhëtimet detare u kishin mundësuar vendeve perëndimore të hapnin rrugë të reja, të zgjeronin kolonitë përtej deteve, të kontrollonin tregtinë dhe të shndërroheshin në fuqi botërore.
Duke iu referuar së kaluarës së Kinës, ai përmendi ekspeditat e admiralit Zheng He në shekullin XV, “flota e thesareve” e të cilit transportonte porcelan deri në Ngushticën e Hormuzit dhe kthehej me gjirafa nga bregu lindor i Afrikës. Më pas, Kina u largua nga oqeanet dhe hyri në një periudhë izolacionizmi. Gjatë Luftërave të Opiumit në shekullin XIX, të cilat përshpejtuan rënien e dinastisë së fundit perandorake kineze, sulmuesit perëndimorë erdhën nga deti, tha ai.
Xi i ndërthuri interesat tregtare detare të Kinës me ambiciet e saj ushtarake.
Xi investoi gjithashtu drejtpërdrejt burime të konsiderueshme në projekte ushtarake me rrezik të lartë. Rreth vitit 2014, Kina nisi t’i shndërronte shkëmbinjtë nënujorë të largët në Detin e Kinës Jugore fillimisht në ishuj artificialë dhe më pas në baza ushtarake, duke ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në atë zonë detare. Disa vite më vonë, ajo përuroi bazën e saj të parë jashtë vendit në Xhibuti, në bregun lindor të Afrikës, dhe nënshkroi një marrëveshje të fshehtë për të pasur akses në një bazë detare në Kamboxhia.
Kina nisi gjithashtu zgjerimin e bazave detare përgjatë gjithë vijës së saj bregdetare, ku vazhdimisht po ndërtohen kalata të reja, porte, doke të thata, depo armësh dhe infrastruktura të tjera.
Përpara ardhjes së Xi-së në pushtet, shkrimet ushtarake kineze përqendroheshin shpesh te dobësitë e marinës, duke “e parë Marinën Amerikane sikur të ishte dhjetë këmbë e gjatë”, tha Ryan D. Martinson, profesor i asociuar në Kolegjin e Luftës Detare të SHBA-së. Xi e nxiti marinën të kishte ambicie të mëdha për t’u shndërruar në një forcë me kapacitete të larta. “Dhe kjo është ajo që ajo është bërë, në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër kohore”, tha Martinson.
Në një studim të titulluar “Marina e kryetarit Xi”, publikuar në fillim të këtij viti, Martinson shkroi se Xi mund të renditet ndër burrat e shtetit me ndikimin më të madh në zhvillimin e fuqisë detare në historinë moderne.
Detet pranë dhe larg
Prioriteti kryesor ushtarak i Kinës sot është harku detar përgjatë vijës së saj bregdetare, nga Deti i Verdhë deri në Detin e Kinës Lindore dhe atë Jugor. Ajo po përpiqet të vendosë dominimin mbi këto ujëra, të përthithë demokracinë ishullore të Tajvanit dhe të pengojë përfshirjen e forcave amerikane në çdo konflikt të mundshëm.
Ky mund të jetë teatri detar më i rrezikshëm në botë.
SHBA-ja synon të parandalojë vendosjen e hegjemonisë kineze në këtë hapësirë. Nëpër të kalojnë arterie jetike tregtare, që lidhin qendrat industriale të fuqishme të Azisë Lindore me pjesën tjetër të botës. Këto ujëra kufizohen nga një treshe aleatësh dhe partnerësh të SHBA-së — Japonia, Tajvani dhe Filipinet — të cilët bëjnë pjesë në atë që strategët e quajnë vargu i parë i ishujve. Mbrojtja e kësaj vije përbën prioritetin kryesor të strategjisë së Pentagonit ndaj Kinës.
Nëse Kina dhe SHBA-ja do të përfshiheshin në një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake, ajo ka të ngjarë të zhvillohej pikërisht këtu. Ky skenar ka ndikuar në zgjerimin e forcave ushtarake kineze në kohë paqeje, i cili ka pak precedentë në historinë moderne, përfshirë edhe ndërtimin e një Force Raketore të fuqishme.
“Kinezët kanë aftësinë jo vetëm të sfidojnë, por potencialisht edhe të mposhtin pjesë të mëdha të forcës tradicionale detare amerikane, veçanërisht brenda vargut të parë të ishujve, madje edhe përtej tij”, tha Studeman.
Kina ka punuar në mënyrë metodike për të forcuar kontrollin e saj në detet strategjike që rrethojnë zinxhirin e parë të ishujve. Forcat e saj mbajnë një prani të dendur, të shtresëzuar dhe të përditshme, të pakrahasueshme me atë të çdo vendi tjetër.
Gjashtë anije të marinës ushtarake kineze operojnë në çdo moment në të gjithë zonën përreth Tajvanit, ndërsa herë pas here shtojnë me shpejtësi praninë për të zhvilluar stërvitje ushtarake, sipas zyrtarëve të sigurisë që ndjekin lëvizjet e tyre. Në Detin e Kinës Jugore mund të gjenden tri herë më shumë anije, të cilat shërbejnë për të demonstruar forcën ndaj Filipineve dhe Vietnamit, me të cilët Pekini është përfshirë në mosmarrëveshje territoriale, thanë zyrtarët.
Pjesa tjetër e flotës së gjerë kineze zhvillon stërvitje në numra gjithnjë e më të mëdhenj në këtë hapësirë detare, ku një ditë mund të urdhërohet të vendosë një bllokadë ose të përfshihet në luftë.
Marina ushtarake është vetëm një pjesë e një rrjeti të gjerë forcash detare, operacionet e paparashikueshme të të cilave kanë vënë në vështirësi kundërshtarët e Pekinit. Roja bregdetare, e pajisur me mjete të fuqishme, mbron pretendimet territoriale të Kinës, herë pas here duke qëlluar me topa uji anijet rivale ose duke u përplasur me to. Mijëra anije peshkimi, të trajnuara për të vepruar si një milici në hije kur të jetë e nevojshme, grumbullohen pa paralajmërim në zonat e kontestuara. Anijet zyrtare të kërkimit dhe studimit detar përshkojnë vazhdimisht ujërat e diskutueshme për të vënë në provë qeveritë rivale.
Së bashku, këto forca kanë ndryshuar rrënjësisht dinamikën e sigurisë në rajon, duke rritur ndjeshëm kërkesat ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj, të cilët duhet të ndjekin lëvizjet e forcave kineze dhe të jenë të gatshëm të reagojnë.
Duke zgjeruar shtrirjen e operacioneve të saj, marina kineze po krijon gjithashtu një prani të rregullt përtej zinxhirit të parë të ishujve dhe po stërvitet për të penguar forcat amerikane që t’i afrohen shumë territorit kontinental të Kinës në rast lufte. Me fjalë të tjera, ajo po zgjeron atë që njihet si “thellësia strategjike”, tha Martinson nga Kolegji i Luftës Detare i SHBA-së.
Qëllimi, sipas tij, është: “Kryerja e operacioneve detare të nivelit më të lartë kundër një fuqie tjetër të madhe, SHBA-së, sa më larg në lindje të jetë e mundur.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal