VIDEO/ Strazimiri: Bashkimi i opozitës është tmerri i Ramës, PD pika ku mblidhen të gjithë faktorët kundër qeverisë

20:16, 03/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka bërë thirrje për bashkimin e të gjithë faktorëve politikë opozitarë kundër qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se ky proces duhet të jetë organik dhe jo një marrëveshje formale mes drejtuesve politikë.

I ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, Strazimiri deklaroi se bashkimi i opozitës përbën shqetësimin kryesor për kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të vitit 2020, veçanërisht kufizimi i mundësisë për të garuar me lista të veçanta brenda koalicioneve, synonin të pengonin ruajtjen e identitetit politik të partive aleate.

Deputeti i PD-së e cilësoi moslejimin e koalicioneve parazgjedhore me lista të veçanta si shkelje të të drejtave të njeriut dhe tha se, sipas tij, bashkimi i sa më shumë forcave opozitare mund të sfidojë strukturën e pushtetit të ngritur nga Rama.

Megjithatë, Strazimiri theksoi se bashkimi nuk duhet të jetë mekanik, i realizuar vetëm përmes një tryeze politike, por duhet të vijë natyrshëm, përmes një angazhimi të përbashkët të të gjithë atyre që synojnë ndryshimin e qeverisë.

Strazimiri nënvizoi se Partia Demokratike ka kapacitetet për të udhëhequr këtë proces, por duhet të jetë e hapur ndaj partive të vogla, fraksioneve politike dhe të gjithë faktorëve që janë realisht në opozitë me qeverinë.

‘E thashë, është e domosdoshme. Jo më kot, Edi Rama e ka kuptuar se bashkimi i faktorëve opozitarë është tmerri i tij. E ka kuptuar dhe, prandaj, në deformimin kryesor që ka bërë në Kodin Zgjedhor, përmes ndryshimeve të njëanshme të vitit 2020, ka përfshirë edhe moslejimin e listave të koalicioneve, ku secila prej partive politike të koalicionit antiqeveritar të ruante identitetin e saj, listën e vet, drejtuesit dhe personalitetet e saj në listë.

Prandaj ai kërkon që opozita të dalë mundësisht me një listë të vetme dhe të luftojë kokë më kokë me një listë të përbashkët, të kufizuar e të deformuar, dhe jo me një buqetë listash e personalitetesh të opozitës. Ai e ka kuptuar këtë dhe, për këtë arsye, unë mendoj se është shkelje totale e të drejtave të njeriut, dhe jam i bindur për këtë, që të mos lejohen koalicionet parazgjedhore, pra që forcat politike të mos kenë mundësi të bashkohen në koalicione parazgjedhore, por të jenë të detyruara, nëse duan të bashkohen, të futen të gjitha në një listë të vetme.

Kështu që këtë na e ka vërtetuar Edi Rama. Nga kjo pikëpamje nuk ka asnjë dyshim: bashkimi bën fuqinë, veçanërisht, dhe këtë e thashë që të mos gabohem, në një sistem autokratik.

Por, duke thënë këtë, shifra që më bën të vendos një pikëpyetje të madhe nuk është ajo e bashkimit në sondazhin e NDI-së. Sigurisht që bashkimi bën fuqinë dhe nuk vihet në dyshim se bashkimi i sa më shumë faktorëve opozitarë e shpërbën të gjithë strukturën autoritare që ka ngritur ky. Sepse kjo nuk është më një parti politike që drejton; ky drejton një bandë të krimit të organizuar.

Kështu që unë do të thoja se shifra për të cilën kam një pikëpyetje të madhe është ajo që tregon se partia kryesore në vend, ajo që ende sot preferohet nga shqiptarët, vazhdon të jetë kjo. Kjo është një broçkull e madhe. Shqiptarët janë treguar të pasinqertë. Nuk e kanë luksin të tregohen të sinqertë dhe të thonë: ‘Jo, nuk e duam më’.

Ky bashkim duhet të vijë në mënyrë organike, jo mekanike, në një tryezë, ku thjesht të bëjmë sikur jemi bashkuar. Jo! Nëse vërtet kemi ndërmend të bashkohemi për ta rrëzuar këtë të keqe të madhe, atëherë cilido që dëshiron të kontribuojë për këtë qëllim, le të vijë dhe të bashkohet.

Unë nuk mendoj... Unë jam ndër ata që besojnë se Partia Demokratike i ka të gjitha resurset dhe të gjitha forcat për t'i bërë ballë kësaj të keqeje të madhe, ashtu siç ka 14-15 vjet që i bën ballë pa pushim, pa ndërprerje dhe pa kompromis këtyre horrave.

Megjithëse pjesa më e madhe e atyre që sot dalin dhe akuzojnë Partinë Demokratike janë publikisht përkrahës dhe votues të këtij horri, të Edi Ramës, këtij horri që është në qeveri, dhe të horrave që sot janë në burg, si për shembull Vangjush Dako e të tjerë me radhë.

Kështu që, nga kjo pikëpamje, unë nuk kam asnjë dilemë: Partia Demokratike është forca, pikë. Është forca që do të udhëheqë ndryshimin dhe do ta realizojë atë.

A duhet të jetë e hapur Partia Demokratike për bashkimin dhe për koalicionin me partitë e vogla, si dhe për të mbledhur pakënaqësitë dhe të gjitha fraksionet e tjera politike opozitare që janë vërtet në opozitë me qeverinë? Në mënyrën më absolute, po. Partia Demokratike duhet të jetë e hapur, duhet t'i dëgjojë, të jetë mirëkuptuese ndaj tyre dhe, sigurisht, e ka detyrë historike të jetë pika fokale ku grumbullohen të gjitha pakënaqësitë dhe të gjitha rrymat politike që janë vërtet kundër qeverisë. Pra, ato që mendojnë se duhet t'i japin vendit një qeveri të re, jo ato që mendojnë se duhet t'i japin vendit një opozitë të re.’, u shpreh deputeti Gent Strazimiri në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco