Defektet në sistemet elektronike të zgjedhjeve shkaktuan vështirësi në procesin e votimit në dy qarqe të SHBA-së, Broward në Florida dhe Westchester në Nju Jork. Problemet prekën sistemet e kontrollit dhe skanimit të fletëve të votimit, por autoritetet zgjedhore siguruan se votat e qytetarëve nuk rrezikojnë të humbasin dhe do të numërohen normalisht.
Në Qarkun Broward, një defekt teknik ndërpreu përkohësisht procesin në të gjitha qendrat e votimit për rreth 20 minuta. Kreu i autoritetit lokal të zgjedhjeve, Joe Scott, konfirmoi se problemi preku të gjithë qarkun dhe u bëri thirrje qytetarëve që ishin larguar pa votuar të riktheheshin në qendrat e votimit përpara mbylljes së tyre.
Sipas Scott, mosfunksionimi u konstatua në sistemin e skanimit që kontrollon nëse votuesit marrin fletën e duhur të votimit, veçanërisht në qendrat që mbulojnë më shumë se një zonë zgjedhore. Pajisja i refuzoi gabimisht të gjitha fletët, duke detyruar zyrtarët të anashkalonin përkohësisht këtë kontroll për të vijuar procesin.
“Askush nuk votoi me fletën e gabuar të votimit. Asnjë numërim nuk u prek”, deklaroi Scott.
Ndërkohë, një problem tjetër u raportua në Qarkun Westchester, në Nju Jork, ku makineritë e skanimit nuk po pranonin fletët e votimit në letër në qendrat zgjedhore të gjithë rajonit.
Pavarësisht vështirësive, autoritetet lokale theksuan se votat do të ruheshin në mënyrë të sigurt dhe do të numëroheshin. Në një reagim në platformën X, administrata e qarkut siguroi qytetarët se asnjë votë nuk do të humbiste.
“Ne duam t’i sigurojmë çdo votuesi se vota e tij llogaritet, fletëvotimi i tij do të mbetet i sigurt dhe vota e tij do të numërohet”, thuhej në deklaratë.
Edhe ekzekutivi i Qarkut Westchester, demokrati Ken Jenkins, konfirmoi se problemi kishte përfshirë të gjithë rajonin. Në një mesazh me video, ai u kërkoi qytetarëve të mos ndërprisnin pjesëmarrjen në votim, duke theksuar se në atë moment nuk shihej e nevojshme zgjatja e orarit të qendrave të votimit.
“Qytetarët duhet ta dinë se vota e tyre do të numërohet. Pikë”, deklaroi Jenkins.
Ai shpjegoi se votuesit mund t’i plotësonin fletët e votimit sipas procedurës së zakonshme dhe më pas t’i vendosnin ato në qeset e posaçme portokalli, duke ndjekur udhëzimet e punonjësve zgjedhorë.
Ndërkohë, Komisioni Zgjedhor i Shtetit të Nju Jorkut bëri të ditur se ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet lokale për zgjidhjen e defektit. Sipas tij, procesi i votimit nuk ishte ndërprerë, ndërsa ishin aktivizuar procedurat e emergjencës. Fletët e plotësuara po ruheshin në kushte të sigurta, nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të të dyja partive, dhe do të numëroheshin normalisht.
#ZgjedhjetNëSHBA #Florida #NjuJork #Votimi #DefekteTeknike

