Sulmet kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarketet evropiane kanë prekur edhe Gjermaninë, ku policia po heton disa raste të regjistruara në rajone të ndryshme të vendit. Persona të paidentifikuar dyshohet se kanë ndërhyrë në sistemet elektronike të frigoriferëve, duke rritur temperaturat dhe shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për bizneset.
Sipas autoriteteve gjermane, ndërhyrjet kanë bërë që sistemet e ftohjes në disa supermarkete të mos funksionojnë siç duhet. Si pasojë, temperatura e produkteve ushqimore është rritur deri në nivele që kanë bërë të pamundur konsumimin e tyre, duke detyruar bizneset t’i asgjësojnë.
Një nga rastet është regjistruar në landin e Saksonisë së Poshtme, ku u ndërpre përkohësisht zinxhiri frigoriferik i një supermarketi në Lilienthal, pranë Bremenit. Pronari i biznesit, Daniel Breiding, tha se dëmi financiar ishte shumë i konsiderueshëm.
“Na u desh të hidhnim produkte me vlerë mbi 360 000 euro”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka thirrur disa takime krize për të shqyrtuar përmasat e sulmeve dhe pasojat e tyre të mundshme në furnizimin me ushqime. Komisioneri evropian për Bujqësinë, Christopher Hansen, e cilësoi atë që po ndodh si një përpjekje të qëllimshme për të ndërprerë furnizimin me produkte ushqimore dhe për të cenuar besimin e konsumatorëve.
Megjithatë, Hansen theksoi se aktualisht siguria e furnizimit me ushqime në Evropë nuk është në rrezik.
Policia gjermane po heton mënyrën se si është depërtuar në sistemet teknologjike dhe po përpiqet të identifikojë personat përgjegjës. Raste të ngjashme në disa vende evropiane kanë ngritur shqetësime për sigurinë e sistemeve dixhitale që kontrollojnë ruajtjen e produkteve ushqimore, duke treguar se një sulm kibernetik mund të shkaktojë pasoja të drejtpërdrejta edhe në furnizimin e përditshëm të qytetarëve.

