Në Vlorë, një grup studentësh, që kanë përfunduar ciklin trevjeçar Bachelor për cikël të ulët dhe kanë vijuar studimet në Master Profesional, përballen me një pengesë të papritur. Pak ditë para sezonit të dytë të provimeve, ata janë njoftuar se nuk mund të matrikulohen në master, për shkak të mesatares së shkollës së mesme nën 7.5.
Sipas studentëve, në vitin 2022 atyre iu dha e drejta të regjistroheshin në Bachelor për mësuesi të ciklit të ulët, pavarësisht mesatares së gjimnazit. Por, pasi përfunduan studimet universitare dhe vijuan masterin profesional, u përballën me një kriter që rrezikon t’u pengojë ushtrimin e profesionit të mësuesit.
Në një përgjigje zyrtare për “Stop”, Departamenti i Edukimit në Universitetin e Vlorës argumenton se komisioni ad hoc ka konsideruar se studentët kishin informacion për kriterin e mesatares, kur zgjodhën programin Bachelor. Pasi pengesa u konstatua në momentin e matrikulimit, studentëve iu ofrua si alternativë kthimi i pagesës ose ndryshimi i degës.
Ekspertja e çështjeve të arsimit, Nora Malaj, kërkon që Ministria e Arsimit dhe QSHA-ja të rishikojnë udhëzimet përkatëse, në mënyrë që studentët të mos penalizohen për shkak të mesatares së gjimnazit, pasi kanë përfunduar Bachelorin me rezultate të larta./tvklan














