Vendosni fjalën kyçe....

Izraelitët kryesojnë rritjen e kërkesave për shtetësi gjermane


Pothuajse 45% e kërkesave për shtetësi gjermane nga pasardhësit e viktimave të përndjekjes naziste vijnë nga Izraeli, më shumë se nga çdo vend tjetër. Pas 7 tetorit, gjithnjë e më shumë izraelitë po kërkojnë një pasaportë të dytë, si një mundësi largimi në rast të përkeqësimit të paqëndrueshmërisë në rajon.

Autoritetet gjermane kanë marrë më shumë se 170 mijë kërkesa për shtetësi që nga viti 2023, nga persona që vuajtën përndjekjen e regjimit nazist ose nga pasardhësit e tyre. Kërkesat përfshijnë individë të cilëve iu hoq shtetësia gjermane ose u detyruan të hiqnin dorë prej saj për arsye politike, racore apo fetare, gjatë periudhës nga 30 janari 1933 deri më 9 maj 1945.

Sipas autoriteteve gjermane, numri i kërkesave është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe ato vijnë nga vende të ndryshme të botës. Pothuajse 45% e tyre janë paraqitur nga shtetas izraelitë, më shumë se nga çdo vend tjetër. Sipas një ligji të miratuar në vitin 2021, pasardhësit e personave të cilëve iu mohua shtetësia për shkak të përndjekjes naziste mund të përfitojnë shtetësinë gjermane, edhe nëse paraardhësit e tyre nuk e kanë pasur kurrë atë.

Autoritetet federale gjermane përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave për shtetësi kanë raportuar një rritje të fortë të interesit. Vitin e kaluar, numri i aplikimeve u rrit me rreth 60%, duke arritur në 11 500. Prej tyre, 5 924 u paraqitën nga izraelitë, krahasuar me 3 640 kërkesa të tilla në vitin 2024.

Në vendin e dytë u renditën aplikantët nga Shtetet e Bashkuara, të cilët paraqitën 2 995 kërkesa vitin e kaluar, nga 2 025 në vitin 2024.

Nga Brexit-i te 7 tetori: Pse po rritet kërkesa për pasaporta gjermane

Sipas autoriteteve statistikore gjermane dhe Qendrës Gjermane për Kërkime mbi Integrimin dhe Migracionin, rritja e kërkesës për shtetësi lidhet ngushtë me zhvillimet gjeopolitike.

Vala e parë e madhe erdhi nga hebrenjtë britanikë pas Brexit-it. Shumë prej tyre kërkuan pasaporta gjermane për të ruajtur përfitimet që ofron shtetësia e Bashkimit Evropian. Një valë më e vogël pasoi pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kohët e fundit, kërkesat nga shtetasit amerikanë u rritën ndjeshëm pas rizgjedhjes së Donald Trumpit si president, pjesërisht për shkak të shqetësimeve lidhur me politikat e administratës së tij ndaj personave LGBTQ.

Një shembull është Debra Guckenheimer, paraardhësit e së cilës u vranë gjatë Holokaustit, ndërsa prindërit e saj arritën të arratiseshin nga Gjermania drejt Shteteve të Bashkuara. Ajo vendosi të kthehej në Gjermani për shkak të shqetësimeve lidhur me trajtimin e dy fëmijëve të saj, të cilët identifikohen si jobinarë.

Pas masakrës së 7 tetorit dhe luftërave që pasuan në rajon, kërkesat nga Izraeli janë rritur ndjeshëm.

Megjithatë, autoritetet gjermane theksojnë se numri i kërkesave për shtetësi dhe i atyre të miratuara nuk pasqyron domosdoshmërisht numrin e izraelitëve që zhvendosen realisht në Gjermani. Për shumë prej tyre, marrja e një pasaporte gjermane përfaqëson një plan rezervë dhe jo një synim të menjëhershëm për të emigruar.

Zyrtarët vënë në dukje se shumë izraelitë më të moshuar po aplikojnë për shtetësi në emër të fëmijëve dhe nipërve apo mbesave të tyre, si masë paraprake ndaj një paqëndrueshmërie të mundshme në të ardhmen dhe si mënyrë për t’u zgjeruar mundësitë.

Përtej mundësisë për të gjetur strehim në rast se situata në Izrael përkeqësohet, shtetësia gjermane u ofron brezave të rinj mundësinë për të jetuar në Evropë, për të gëzuar liritë e një shoqërie demokratike liberale dhe për të ndjekur arsimin e lartë pa tarifa shkollimi në shumë universitete publike.

Për këtë arsye, për një numër gjithnjë e më të madh familjesh izraelite, pasaporta gjermane nuk ka të bëjë aq shumë me largimin nga Izraeli sot, sa me garantimin që brezat e ardhshëm të kenë mundësinë ta bëjnë këtë nëse dëshirojnë, shkruan Ynet.