Entela Sula, e cila raporton nga Bostoni, ka komentuar procesin zgjedhor në SHBA dhe qëndrimin e diasporës shqiptare ndaj zgjedhjeve të zhvilluara këtë herë.
E ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, Sula deklaroi se ende nuk kishte votuar, pasi ndodhej brenda orarit zyrtar të punës, por priste që shumë qytetarë amerikanë t’u drejtoheshin qendrave të votimit në orët e fundit të procesit
Duke folur për shtetin e Massachusetts-it, nga ku raportonte, ajo theksoi se ky konsiderohet përgjithësisht një bastion i së majtës. Ndërsa sa i përket votës së komunitetit shqiptar në SHBA, Sula kujtoi se në zgjedhjet e fundit presidenciale diaspora shqiptare votoi në mbështetje të Donald Trump.
Megjithatë, ajo u shpreh se nuk ndan të njëjtin parashikim për procesin aktual zgjedhor, duke theksuar se është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi orientimin e votës së shqiptarëve në Amerikë
“Zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, flas për zgjedhjet presidenciale, treguan që diaspora shqiptare votoi pro presidentit Donald Trump. Nuk ndaj të njëjtën bindje për këto zgjedhje, për këtë proces zgjedhor në të cilin gjendemi sot, por mbetet për t’u parë sepse është ende shumë herët”, u shpreh Sula.
Ajo bëri me dije se procesi i votimit në zonën ku ndodhej do të vijonte deri në orën 20:00, sipas orës lokale në SHBA./Oranews












