Këngëtarja Elsa Lila ka ndarë me ndjekësit dhimbjen për humbjen e dajës së saj, avokatit të njohur Saimir Vishaj, i cili u nda nga jeta sot në moshën 60-vjeçare. Përmes një mesazhi prekës, ajo shprehet se nuk e kishte menduar kurrë se do t’i duhej të njoftonte largimin e tij nga jeta.
“Nuk mendoja kurrë që do të ndaja lajmin e ikjes tënde, Daja Saimir! Me hidhërim të thellë ku presim në Funeral Alba 2000 për Përshëndetjen e fundit”, shkruan Elsa Lila.
Vishaj ndërroi jetë pas disa ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas informacioneve paraprake, të dielën ai ishte transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, pas dyshimeve se kishte rënë nga shkallët. Gjendja e tij ishte kritike dhe mjekët e kishin vendosur në intubim, por ai nuk arriti të mbijetonte.
Saimir Vishaj ishte një nga emrat e njohur të avokatisë shqiptare. Ai e nisi karrierën në vitin 1996 dhe, që prej vitit 2009, drejtonte Shoqatën e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë.
Gjatë karrierës së tij, Vishaj mbajti edhe disa funksione të rëndësishme në strukturat e avokatisë dhe të drejtësisë, mes tyre anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi dhe i Komitetit të Disiplinës.
Në gusht të vitit 2025, avokati kishte rrëfyer publikisht një betejë të vështirë shëndetësore, gjatë së cilës kishte qëndruar në koma dhe ishte intubuar. Ai kishte treguar gjithashtu se i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje mjekësore në Itali.

