Shtatë fluturime pasagjerësh në disa vende të Europës u përfshinë nga alarmet për bombë, të cilat rezultuan të gjitha false. Situata shkaktoi mobilizimin e forcave të sigurisë, kontrolle të imtësishme në aeroporte dhe, në rastin e dy avionëve që po udhëtonin drejt Romës, edhe ngritjen në fluturim të avionëve luftarakë italianë për t’i shoqëruar deri në aeroportin e Fiumicinos.
Alarmi në Itali nisi pas një mesazhi anonim të dërguar me email, ku pretendohej se në bordin e dy avionëve të kompanisë Ryanair, që po mbërrinin në Romë, kishte mjete shpërthyese. Bëhej fjalë për dy fluturime, njëri nga Lisbona dhe tjetri nga Dublini.
Avioni nga Lisbona u ul në Fiumicino rreth orës 09:40, ndërsa ai nga Dublini në orën 10:44. Avionët luftarakë të Forcave Ajrore italiane i shoqëruan gjatë afrimit drejt aeroportit. Pas uljes, autoritetet kryen kontrolle të hollësishme në avionë, te pasagjerët dhe bagazhet, ndërsa specialistët për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese inspektuan mjetet fluturuese. Operacionet përfunduan pak pas mesditës dhe nuk u gjet asnjë eksploziv.
Por alarmet nuk u kufizuan vetëm në Itali. Sipas bilancit të raportuar nga mediat ndërkombëtare, shtatë fluturime në total u përfshinë nga këto sinjalizime në Itali, Bullgari, Spanjë dhe Poloni.
Katër prej tyre ishin fluturime të Ryanair nga Lisbona dhe Dublini, dy drejt Romës dhe dy drejt Sofjes. Në kryeqytetin bullgar u kontrollua gjithashtu një avion i kompanisë Wizz Air, i nisur nga aeroporti i Orio al Serios në Bergamo të Italisë.
Një tjetër alarm u regjistrua në Spanjë, ku një avion Ryanair, i nisur nga Mançesteri dhe me destinacion Murcian, u kontrollua pas një sinjalizimi për bombë. Në bord ndodheshin 114 pasagjerë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit. Edhe aty kontrollet përfunduan pa gjetje të lëndëve shpërthyese.
Në Poloni, një avion i LOT Polish Airlines, që udhëtonte nga Londra drejt Varshavës me 181 persona në bord, u devijua drejt aeroportit Modlin, i cili u mbyll përkohësisht për kontrollet. Një tjetër sinjalizim për bombë përfshiu edhe një fluturim të SAS nga Kopenhaga, që u ul në Varshavë. Në të dyja rastet, autoritetet përjashtuan praninë e eksplozivëve.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që incidentet në vendet e ndryshme të kenë një burim të përbashkët, megjithëse në fazën fillestare nuk ishin konfirmuar lidhje mes tyre. Në Itali, për ngjarjen po hetojnë Polaria dhe Policia Postare.
Alarmet e 3 nëntorit vijnë një ditë pas një tjetër incidenti, kur një avion i Wizz Air, i nisur nga Londra Luton, u detyrua të ulej në Budapest, i shoqëruar nga një avion luftarak hungarez. Edhe në atë rast, kontrollet nuk zbuluan asgjë të dyshimtë.

