Protesta studentore kundër qeverisë, e zhvilluar më 3 nëntor, ka vijuar edhe me kundërshtimin e gjobave të vendosura nga policia ndaj disa prej pjesëmarrësve.
Gjatë protestës së 22-të, ku studentët dhe qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, disa protestues janë shoqëruar në komisariat dhe janë njoftuar për gjoba në masën 50 mijë lekë të vjetra, me pretendimin se kishin bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Por protestuesit kanë refuzuar t’i paguajnë gjobat, duke pretenduar se protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe se nuk kanë penguar lëvizjen e automjeteve. Madje, në fletët e gjobave disa prej tyre kanë shkruar mesazhin “Rama ik”.
Sipas gazetarit Renaldo Salianji, policia ka paralajmëruar përmes megafonit se pjesëmarrësit do të gjobiteshin nëse nuk largoheshin nga zona e protestës. Disa qytetarë kanë kundërshtuar masat, duke pretenduar se e kishin njoftuar policinë për zhvillimin e protestës dhe se gjobitja ishte e paligjshme.
“Me të gjithë qytetarët që unë kam biseduar, asnjëri nuk e ka paguar gjobën e policisë. Ata kanë thënë se nuk e paguajnë gjobën, sepse kanë protestuar në mënyrë paqësore dhe se nuk kanë penguar asnjë qarkullim automjetesh”, raportoi Salianji.
Qëndresa e protestuesve ka vijuar përpara Kryeministrisë, ndërsa ata këmbëngulin se nuk do të tërhiqen nga kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës.m.k




