Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Identifikohen mbetjet mortore edhe të tre personave nga “Grupi i Intelektualëve”

Kalluder

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se janë identifikuar mbetjet mortore edhe të tre personave nga “Grupi i Intelektualëve” nga gërmimet që janë zhvilluar në Kalludër dhe Jabukë.

Sipas njoftimit të kryeministrit është bërë identifikimi i Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.

Kurti ka shkruar në njoftimin në Facebook se për këtë është njoftuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

“Pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u informova se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve”, ka bërë të ditur Kurti.

Ai ka thënë gjithashtu se janë informuar edhe familjet e tye derisa ka shprehur ngushëllime për familjarët. 

Edhe Konfirmohen mbetjet mortore të treshes së “Grupit të Intelektualëve” Arbëri Konfirmohen mbetjet mortore të treshes së “Grupit të Intelektualëve”

“Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka thënë Kurti.

Djali i Adem Ademit, njërit nga intelektualët e identifikuar, Erblin Ademi ka konfirmuar se i kanë pranuar rezultatet e ADN-së për këtë duke e quajtur moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për familjen.

Ai ka thënë se është mundësi që t’i jepet lamtumira dhe nderimi që e meriton babai i tij, Adem Ademi për kontributin e dhënë si mjek e kirurg.

“Sot, nga institucionet tona, u informuam se nga laboratori në Hagë kanë ardhur rezultatet e analizave të ADN-së, përmes të cilave është bërë identifikimi i babait tonë, familjarit tonë të dashur, Dr. Adem Ademi. Ky lajm, pas gati tri dekadash pasigurie, pritjeje dhe kërkimi të së vërtetës, shënon një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për familjen tonë. Ai përbën një hap drejt përmbylljes së një pritjeje të gjatë dhe mundësisë që babit tonë ti japim lamtumirën dhe nderimin që meriton”, ka shkruar Erblin Ademi në Facebook.

Edhe vajza e Fatmir Fazlisë, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” që është identifikuar nga mbetjet pas gërmimeve në Kalludër e Jabukë, Flaka Fazlija, ka thënë se janë informuar për rezultatet e ADN-së dhe identifikimin.

Edhe Identifikohen tri viktima nga varrezat në Zubin-Potok, i përkasin “Grupit të Intelektualëve” Arbëri Identifikohen tri viktima nga varrezat në Zubin-Potok, i përkasin “Grupit të Intelektualëve”

Ajo ka shkruar se e vërteta më në fund e gjeti rrugën e saj dhe se këto 27 vjet kanë qenë pritje e ankth.

“Për gati tri dekada e kemi mbajtur gjallë kujtimin për ty me krenari e dhimbje, gjithmonë duke besuar në vlerat e tua, në trashëgiminë tënde, në qëllimin tënd e madje edhe në kthimin tënd. E ti sërish na dole në fjalë... po i rikthehesh tokës që e deshe e për të cilën sakrifikove gjithçka. Babi po e përmbyll ciklin e tij jetësor me dinjitetin e një humanisti, me lavdinë e një dëshmori e me kontributin e paçmuar si mantelbardh i lirisë në ato pak vite jetë”, ka shkruar Flaka Fazlija, vajza e Fatmir Fazlisë.