Transferimi i papritur i Erion Veliajt në burgun e Fierit, nxori në pah përplasjen e tij me kryeministrin Edi Rama, një konflikt që shkon përtej së ardhmes së Bashkisë së Tiranës.
Veliaj, përmes avokatit Plarent Nreca dhe letrave të dërguara nga burgu, pretendon se Rama është përfshirë personalisht në ndëshkimin e tij përmes transferimit në Fier.
Të lidhura
None found
Ai thotë gjithashtu se, kryeministri po i bën presion që të japë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës, duke përdorur një mesazh që, sipas tij, iu përcoll në burg nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.
Sipas Veliajt, Gogu e vizitoi në burg të premten, në orët e vona të mbrëmjes. Gjatë takimit, pretendon ai, në emër të Ramës iu kërkua të largohej nga detyra, të pranonte se ishte përfshirë në protestat e Flamingove dhe të hiqte dorë nga avokati Plarent Nreca. Në rast refuzimi, Veliaj thotë se iu bë e ditur se mund t’i ngarkoheshin akuza të tjera penale.
“Nuk pranoj haluçinacionet bolshevike se kam organizuar apo financuar protestat… E sfidoj Kryeministrin e vendit të paraqesë qoftë edhe një provë për këto aludime rreth protestave. Përndryshe, ik!”, shkroi Veliaj.
Ministri Gogu konfirmoi se kishte shkuar në burg, por mohoi prerazi t’i kishte përcjellë Veliajt ndonjë mesazh nga Rama. Ai u shpreh i befasuar nga pretendimet e kryebashkiakut, të cilat i cilësoi si “stisje të pavërteta”.
SPAK-u, i pyetur nga BIRN nëse kishte hapur zyrtarisht një hetim lidhur me pretendimet e palëve, u përgjigj se, “nuk ka asgjë për të ndarë”.
Përplasja mes Ramës dhe Veliajt, dikur një bashkëpunëtor i afërt politik i kryeministrit, ka sjellë pikëpyetje nëse pushteti ekzekutiv po përdoret për presion politik ose për të ndikuar në proceset gjyqësore.
Ekspertë të drejtësisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë që organet e drejtësisë t’i hetojnë në mënyrë të pavarur akuzat e Veliajt. Sipas tyre, çështja përbën një provë për pavarësinë e SPAK-ut.
“Pretendimet e Erion Veliajt duhet të verifikohen në mënyrë të pavarur nga institucionet e drejtësisë, veçanërisht nga SPAK-u, sidomos kur ngrihen dyshime se pushteti ekzekutiv mund të jetë përdorur për presion politik”, deklaroi avokati Gentian Serjani, drejtues i organizatës për Drejtësi Sociale.
Serjani tha se ka rezerva për përfshirjen e SPAK-ut në çështje me përmasa politike, por shtoi se kjo nuk justifikon shpërfilljen e pretendimeve të Veliajt.
“Pretendimet e Veliajt dhe të avokatit të tij duhen shqyrtuar përmes provave konkrete, komunikimeve dhe dëshmive përkatëse, jo vetëm duke u mbështetur te deklaratat publike”, u shpreh ai.
Edhe Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qëndresa Qytetare”, kërkon hetim të pavarur. Sipas tij, duhet sqaruar nëse vizita e ministrit të Drejtësisë në burg është kryer në përputhje me ligjin.
“SPAK-u duhet të verifikojë vizitën e ministrit Gogu në burg: a i plotëson ajo kriteret ligjore, apo ishte një takim jashtëligjor, në kufijtë e atij mafioz, siç pretendon kryetari i Bashkisë”, tha Xhemollari.
Xhemollari theksoi se akuzat duhet të marrin përgjigje nga institucionet dhe të mos kthehen në një tjetër përballje politike. Ai tha se avokati i Veliajt duhej t’i drejtohej pa vonesë SPAK-ut për pretendimet që përfshijnë ministrin e Drejtësisë dhe kryeministrin, në vend që t’i trajtonte ato në emisione televizive.
“Çështja nuk mund të mbetet vetëm pjesë e retorikës dhe e luftës politike; ajo duhet të kalojë nëpër verifikime ligjore e procedurale”, përfundoi Xhemollari.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, u shpreh gjithashtu se akuzat e Veliajt duhet të hetohen në mënyrë të pavarur.
“SPAK-u dhe institucionet e drejtësisë duhet t’i verifikojnë në mënyrë të pavarur pretendimet e Veliajt”, tha Preçi për BIRN.
Ai shtoi se çështja ka ndjeshmëri të lartë publike, pasi kryeministri akuzohet se ka ushtruar presion ndaj një personi të burgosur.
Preçi e krahasoi rastin me atë të ish-deputetes socialiste Klotilda Bushka, të cilën SPAK-u e akuzoi për pengim të drejtësisë, pasi dyshohet se i kishte bërë presion dëshmitares në procesin ndaj Veliajt.
“Në të dyja rastet, akuzohet një person me pushtet të lartë politik se ka shfrytëzuar pozitën për të ndikuar te një person kyç në një çështje penale në zhvillim. Në rastin e parë, pretendohej se ndikimi u ushtrua nga Kuvendi në favor të Veliajt; tani, sipas pretendimeve, nga qeveria kundër tij”, tha Preçi.
Sipas tij, SPAK-u duhet të hetojë me të njëjtën vendosmëri.
“Vetëm kështu mund të dëshmohet se standardi kundër ndërhyrjes politike në drejtësi zbatohet njësoj, pavarësisht se kush ushtron presionin dhe ndaj kujt”, përfundoi ai.






