Sytë nga Liga e Kampionëve – nëntë duele dhe disa përballje që premtojnë spektakël

Liga e Kampionëve vazhdon sonte (e mërkurë) me nëntë ndeshje të xhiros së katërt të fazës së ligës, ku në program janë disa përballje mjaft interesante dhe skuadra të mëdha evropiane.
Programi nis nga ora 18:45 me dy takime. Real Madridi do të jetë mysafir i AEK-ut në Greqi, ndërsa Liverpooli udhëton drejt Stambollit për t'u përballur me Fenerbahçen.
Real Madridi hyn në këtë takim me bilanc perfekt prej tri fitoresh në tri ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve. Madrilenët kanë mposhtur Interin 2-1, Romën 4-3 dhe Leipzigun 4-1 dhe tani synojnë ta vazhdojnë serinë pozitive edhe në Athinë.
Megjithatë, historia tregon se udhëtimet në Greqi nuk kanë qenë gjithmonë të lehta për gjigantin spanjoll. Real Madridi ka fituar vetëm një nga tetë ndeshjet evropiane si mysafir ndaj klubeve greke, ndërsa AEK nuk ka humbur në dy ndeshjet e zhvilluara në shtëpi kundër madrilenëve.
Në të njëjtën kohë, një tjetër sfidë që pritet të marrë shumë vëmendje zhvillohet në Stamboll, ku Fenerbahce pret Liverpoolin.
Skuadra angleze ka fituar tri ndeshjet e para të këtij edicioni, ndaj Atletico Madridit, LASK-ut dhe Villarrealit, por ka një statistikë aspak të favorshme në Turqi: Liverpooli ende nuk ka fituar në gjashtë ndeshje si mysafir ndaj skuadrave turke në Ligën e Kampionëve.
Ready to go again 👊#UCL https://t.co/oYlqfYePom
— UEFA Champions League (@ChampionsLeague) November 2, 2026
Te Fenerbahce pritet të jetë nga minuta e parë edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, çka e bën këtë përballje edhe më interesante për tifozët kosovarë.
Nga ora 21:00 zhvillohen shtatë takimet tjera.
Një nga kryesoret është RB Leipzig – Manchester City. Anglezët kërkojnë fitoren e tretë në këtë edicion, ndërsa Leipzigu tenton të rikthehet pas humbjes 4-1 ndaj Real Madridit në xhiron e kaluar. Manchester City ka dominuar edhe përballjet direkte të viteve të fundit, me katër fitore në gjashtë ndeshje ndaj skuadrës gjermane.
Arsenali, që ende nuk ka pësuar humbje pas tri ndeshjeve të para, do të jetë mysafir i Slavia Pragës. “Topçinjtë” kanë mposhtur Napolin dhe Lille, ndërsa kanë barazuar 2-2 në udhëtim te Bayern Munichu.
Borussia Dortmund pret Real Betisin në “Signal Iduna Park”, ndërsa një tjetër përballje shumë interesante pritet në Portugali, ku Porto përballet me kampionin italian Napoli.
PSV Eindhoven do të presë Club Brugge, Lens do të përballet me Comon, ndërsa programi kompletohet me duelin Viking – Sabah.
Programi i plotë:
18:45 – AEK – Real Madrid
18:45 – Fenerbahce – Liverpool
21:00 – Borussia Dortmund – Real Betis
21:00 – RB Leipzig – Manchester City
21:00 – Lens – Como
21:00 – Porto – Napoli
21:00 – PSV Eindhoven – Club Brugge
21:00 – Slavia Praga– Arsenal
21:00 – Viking – Sabah
/Telegrafi/















































