Sekuestrohen 37 kilogramë heroinë në operacion kundër një grupi kriminal ndërkombëtar, pesë të arrestuar

Një grup kriminal ndërkombëtar është goditur falë bashkëpunimit dhe punës profesionale të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla.

Në një postim në Facebook, Sfeçla njoftoi se gjatë operacionit u sekuestruan 37 kilogramë heroinë në 62 paketime. Sipas tij, droga ka një vlerë tregu prej mbi gjysmë milioni euro.

Të lidhura

None found

Pesë persona u arrestuan si të dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, si edhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Sfeçla shkroi se angazhimi për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve do të shtohet, me më shumë vullnet e këmbëngulësi. Ai theksoi se Republika e Kosovës nuk është dhe nuk do të bëhet vend i sigurt për kriminelët apo për veprimtari që rrezikojnë sigurinë e vendit, shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve dhe të gjithë qytetarëve.


Shtuar më 4.11.2026 08:11

Quantcast