Nga mobiliet te projektet e ndërtimit në Gjermani – Krasniqi flet për mundësitë e bizneseve kosovare

Prodhimi i mobilieve, përpunimi i drurit dhe realizimi i projekteve në ndërtimtari janë ndër fushat ku bizneset kosovare mund të zgjerojnë bashkëpunimin me tregun gjerman, sipas kryetarit të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Zenun Krasniqi.
Në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Krasniqi foli për lidhjen ndërmjet prodhuesve në Kosovë dhe kompanive në Gjermani, duke theksuar rolin e diasporës në krijimin e kontakteve dhe partneriteteve afariste.
Sipas tij, takimet e Unionit shërbejnë edhe për afrimin e kompanive kosovare me partnerë potencialë në Gjermani.
“Ne kemi edhe anëtarë nga Kosova në Unionin e Bizneseve dhe, kur kemi takime, i ftojmë edhe këta nga Kosova. Janë kompani të përpunimit të drurit, kompani të njohura këtu në Kosovë. Vijnë atje, bëhen kontakte, punojnë shumë mes vete”, tha Krasniqi, shkruan Telegrafi.
Krasniqi e sheh afërsinë me tregun gjerman si një përparësi për prodhuesit kosovarë. Sipas tij, pasiguritë në transportin nga tregjet e largëta kanë shtuar interesimin e kompanive gjermane për furnizues më afër.
“Shumë kompani me të cilat kemi kontakt kanë interesim të largohen prej atyre tregjeve”, tha ai, duke iu referuar furnizimit nga vendet e largëta aziatike.
Një mundësi konkrete, sipas Krasniqit, është që kompanitë kosovare ta shoqërojnë shitjen e produkteve edhe me shërbimin e montimit në Gjermani.
Ai përmendi shembullin e një kompanie që prodhon mobilie në Kosovë dhe merr përsipër mobilimin e një hoteli në tregun gjerman.
“Ai i prodhon mobiliet këtu dhe vjen e i monton vetë, me punëtorët e vet nga Kosova”, shpjegoi Krasniqi.
Për këtë qëllim, Unioni ka ndërmarrë një nismë që synon t’u mundësojë kompanive nga Kosova të realizojnë projekte të caktuara në Gjermani me punëtorët e tyre, duke respektuar kërkesat ligjore gjermane.
“Normalisht që duhet t’i përmbushin normat, pagën minimale dhe ato kërkesa”, theksoi ai.
Krasniqi tha se propozimi është adresuar te institucionet përkatëse dhe shprehu bindjen se një marrëveshje e tillë do të kishte rëndësi për ekonominë kosovare.
“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë të shohin një perspektivë, që munden edhe prej Kosovës, me kompanitë e Kosovës”, u shpreh ai.
Sipas tij, kjo do të nxiste edhe sipërmarrësit e diasporës që të zgjeronin aktivitetin në vendlindje
“Është edhe një shtytje më e madhe për ne që të hapim një kompani në Kosovë”, shtoi Krasniqi.
- YouTube www.youtube.com
Duke folur për aktivitetin e anëtarëve të Unionit në Gjermani, ai veçoi ndërtimtarinë si një nga fushat kryesore dhe bashkëpunimin ndërmjet kompanive si pjesë të rëndësishme të punës së tyre.
“I japim njëri-tjetrit punë, blejmë prej njëri-tjetrit, shesim te njëri-tjetri”, tha Krasniqi.
Megjithatë, ai theksoi se zgjerimi i investimeve dhe i prodhimit në Kosovë kërkon edhe angazhim institucional
“Duhet të punojmë në infrastrukturën ligjore dhe në energji”, theksoi Krasniqi. /Telegrafi/.










































