BMW Alpina e parë e epokës së re kalon 300 km/h në testime

Automjeti i parë që do të dalë në prodhim nën markën e re BMW Alpina po i afrohet debutimit në treg. Teksa viti 2027 po afron, limuzina luksoze e menduar si rivale e Mercedes-Maybach S-Class nuk është prezantuar ende zyrtarisht. Megjithatë, pamjet e publikuara së fundmi e tregojnë atë në prova të shpejtësisë së lartë në një nga pistat automobilistike më të njohura në botë.

Prototipi vazhdon të jetë i kamufluar. Ai mbështetet te BMW Seria 7 e rifreskuar së fundmi dhe përdor një motor V8. Në qendrën teknike Nardò, në jug të Italisë, limuzina e kaloi shpejtësinë 300 km/h gjatë testimeve.

Të lidhura

None found

Me një gjatësi prej 12.6 kilometrash, pista e Nardò-s krijon kushtet për të provuar automjetet në shpejtësi të mëdha. Sipas Telegrafit, BMW Alpina e përmbledh qasjen ndaj këtij modeli me shprehjen “Shpejtësi, jo sport”.

Synimi i inxhinierëve nuk është të shkurtojnë kohën e xhirove ose të ndërtojnë një makinë për pistat e garave. Ata po zhvillojnë një limuzinë që të udhëtojë shumë shpejt duke ruajtur rehatinë dhe rafinimin. Për këtë arsye, ajo pritet t’i ngjajë më tepër një Grand Tourer (GT) komod, ndërsa karakteri sportiv i Serisë 7 do të mbetet në duart e divizionit M të BMW-së, me modelet M760e dhe M760.

BMW ka konfirmuar përdorimin e motorit V8 në modelin e parë të prodhimit, por nuk ka bërë publike shifrat zyrtare të fuqisë, çiftit rrotullues apo përshpejtimit. Në një çast të videos nga provat, ekrani që projekton të dhënat në xhamin e përparmë tregon 439 kW dhe 784 Nm, ose afërsisht 589 kuaj fuqi dhe 578 lb-ft çift rrotullues. Meqë makina është ende prototip, këto shifra nuk duhen marrë si përfundimtare.

Për të siguruar një shpërndarje graduale e të butë të fuqisë, në vend të një reagimi agresiv, motori ka marrë një konfigurim të posaçëm të menaxhimit elektronik dhe pedalit të gazit, ka bërë të ditur kompania. Edhe transmisioni është rikalibruar që të përballojë rrotullime më të larta të motorit dhe fuqinë e shtuar.

Shasia është një tjetër pjesë ku është përqendruar puna. BMW Alpina thotë se pezullimi duhet të ndërthurë sjelljen dinamike në rrugë me komoditetin, ndërsa ndryshimet aerodinamike janë menduar për ta ruajtur qëndrueshmërinë e makinës edhe kur lëviz me shpejtësi shumë të lartë.

Ndonëse i fshehur nën kamuflazh, prototipi shfaq tipare të njohura të Alpina-s. Fellnet elegante prej alumini, 20-inçëshe dhe me modelin klasik shumëkëndësh, shoqërohen me goma të posaçme Pirelli P Zero.

Në brendësi të gomave është vendosur një shtresë shtesë shkume. Ajo synon të rrisë saktësinë e drejtimit, sigurinë dhe komoditetin, si edhe të ndihmojë që automjeti të lëvizë në mënyrë të qëndrueshme me shpejtësi të lartë.

Edhe shkarkimi i gazrave mbart një shenjë dalluese: katër dalje me formë ovale. BMW premton një tingull të fuqishëm e të thellë, që mund t’i gëzojë adhuruesit e motorëve me cilindratë të madhe.

Në pjesën e përparme bien në sy dritat e ditës në ngjyrë të verdhë-portokalli. Ato sjellin ndër mend konceptin e një kupeje që Alpina e kishte prezantuar më herët, por që, fatkeqësisht, nuk do të prodhohet.

Pamjet zyrtare vërtetojnë se prototipi e tejkaloi kufirin e 300 km/h, por BMW nuk e ka treguar ende shpejtësinë maksimale të versionit përfundimtar. Interesi për këtë të dhënë lidhet edhe me rezultatet që kanë arritur më parë modelet Alpina.

Alpina B7 e gjeneratës së kaluar arrinte 330 km/h dhe renditej ndër limuzinat luksoze më të shpejta të kohës. Tradita vijoi me B5 GT dhe B8 GT, dy modele më të reja që arrijnë po të njëjtën shpejtësi maksimale prej 330 km/h.

Ndërkohë, rivalët kanë ngritur më tej nivelin e konkurrencës. Bentley Flying Spur Speed arrin 333 km/h, kurse Maserati Ghibli 334 Ultima, një model i prodhuar në seri të kufizuar, shkon në 334 km/h. Kompania kineze Xiaomi, nga ana e saj, pretendon se automjeti elektrik SU7 Ultra mund të arrijë 350 km/h.

Kalimi i plotë i Alpina-s në grupin BMW ndryshon edhe mënyrën se si do të ndërtohen makinat e markës. Në vend të fabrikës së dikurshme të pavarur në Buchloe të Gjermanisë, prodhimi i modeleve të reja do të zhvillohet në fabrikat ekzistuese të BMW-së.

Më parë, Alpina ndërtonte në selinë e saj bavareze një numër më të kufizuar automjetesh. Ajo merrte modele bazë nga BMW dhe më pas i përshtaste sipas standardeve të veta.

Kompania fillestare, tashmë me emrin Alpina Classic, vijon punën në Buchloe. Fokusi i saj do të jetë mirëmbajtja dhe shërbimi i makinave të ndërtuara përpara blerjes së markës nga BMW. Të dhënat e publikuara tregojnë se, nga afro 60 mijë automjete të prodhuara ndër vite, besohet se rreth 40 mijë ekzistojnë ende.

Prodhimi i makinave luksoze dhe sportive mbetet pjesë e planeve të familjes Bovensiepen. Andreas dhe Florian Bovensiepen, djemtë e themeluesit të ndjerë të Alpina-s, Burkard Bovensiepen, kanë krijuar Bovensiepen Automobile GmbH për të vijuar traditën familjare të automjeteve të personalizuara me performancë të lartë.

Ndër projektet e para të kësaj kompanie janë një BMW M4 Coupe me dizajn nga Zagato, e ndërtuar mbi bazën e versionit kabriolet, dhe një BMW M5 Touring, pamja e së cilës është krijuar nga një ish-dizajner i BMW-së.


Shtuar më 4.11.2026 09:03

Quantcast