Wednesday / November 4 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Life Style Udhetim

Kryeqyteti i Gjelbër i Europës për 2028, ku qëndron Tirana

Share Share Icon

Ndërsa udhëtimet e qëndrueshme po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi, ia vlen t’u kushtohet vëmendje qyteteve që po bëjnë përpjekje të veçanta për t’u bërë më të gjelbra.

Një shembull është Kopenhagen, kryeqyteti danez, i cili që prej vitit 2024 zbaton një program që shpërblen turistët për mbledhjen e mbeturinave dhe përdorimin e mënyrave të qëndrueshme të transportit. Edhe qytete të tjera europiane kanë ndjekur të njëjtin model.

Për të njohur dhe shpërblyer qytetet që udhëheqin përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit, Bashkimi Europian ka krijuar çmimin “Kryeqyteti i Gjelbër Europian”. Ky vlerësim synon të evidentojë qytetet që ndërmarrin masa konkrete për trajtimin e problemeve mjedisore dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së banorëve.

Por cili qytet është shpallur Kryeqyteti i ardhshëm i Gjelbër i Europës?

Fituesi është Zaragoza, një nga qytetet më të mëdha të Spanjës, i vendosur në rajonin verilindor të Aragonit.

Njoftimi u bë gjatë një ceremonie në Guimarães të Portugalisë, qyteti që mban titullin për vitin 2026. Zaragoza fitoi gjithashtu një financim prej 600 mijë eurosh, për të mbështetur përpjekjet e saj për zhvillim të qëndrueshëm.

Si zgjidhet Kryeqyteti i Gjelbër i Europës?

Çmimi jepet dy vjet përpara, çka do të thotë se Zaragoza do ta mbajë titullin në vitin 2028.

Për vitin 2027, fitues është qyteti gjerman Heilbronn, i vlerësuar për përpjekjet në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe uljen e ndotjes akustike.

Sipas Euronews, në garën për Kryeqytetin e Gjelbër Europian mund të marrin pjesë qytetet me të paktën 100 mijë banorë. Ndërkohë, qytetet më të vogla, me popullsi nga 20 mijë deri në 100 mijë banorë, konkurrojnë për çmimin “European Green Leaf” (Gjethja e Gjelbër Europiane).

Për vitin 2028, ky çmim iu dha Benidormit në Spanjë dhe Estarrejës në Portugali.

Benidormi u vlerësua për menaxhimin e presionit që krijon turizmi masiv, duke ruajtur njëkohësisht mjedisin. Të dy qytetet përfituan nga 200 mijë euro financim.

Në garë për titullin e Kryeqytetit të Gjelbër ishin edhe Aalborg në Danimarkë, Bielsko-BiaÅ‚a në Poloni, Košice në Sllovaki dhe Porto në Portugali.

Një panel i pavarur ekspertësh vlerësoi aplikimet duke marrë parasysh cilësinë e ajrit dhe të ujit, mbrojtjen e hapësirave të gjelbra, menaxhimin e zhurmave dhe mbetjeve, përgatitjen për temperaturat ekstreme dhe përmbytjet, si dhe masat për reduktimin e emetimeve ndotëse.

Zaragoza fitoi falë “qeverisjes së fortë dhe angazhimit afatgjatë, që e kanë ndihmuar qytetin t’u përgjigjet me sukses sfidave gjithnjë e më të mëdha klimatike”, sipas platformës së turizmit të Bashkimit Europian.

Juria vlerësoi gjithashtu biodiversitetin urban, përdorimin e qëndrueshëm të tokës dhe hapësirat e gjelbra. Qyteti ka hartuar dhe zbatuar edhe një Plan të Përgjithshëm për Infrastrukturën e Gjelbër, që synon integrimin e natyrës në zhvillimin urban.

Tirana, mes betonizimit dhe mungesës së hapësirave të gjelbra

Ndërsa Zaragoza po vlerësohet në nivel europian për mbrojtjen e biodiversitetit, zgjerimin e hapësirave të gjelbra dhe menaxhimin e qëndrueshëm urban, Tirana vazhdon të përballet me sfidat e urbanizimit të shpejtë, dendësimit të ndërtimeve dhe ndotjes nga trafiku.

Sipas një studimi shkencor të publikuar në vitin 2025, hapësirat e gjelbra urbane zënë vetëm 11% të sipërfaqes së qytetit dhe rreth 52% e territorit urban nuk mbulohet nga shërbimi i hapësirave të gjelbra të aksesueshme.

Ndërkohë, monitorimi mjedisor i vitit 2025 nga projekti GreenAL evidenton trafikun dhe aktivitetin ndërtimor si burime kryesore të ndotjes së ajrit dhe zhurmave në qytetet shqiptare, përfshirë Tiranën.

Përvoja e Zaragozës nxjerr në pah rëndësinë e planifikimit afatgjatë urban, ku cilësia e ajrit, gjelbërimi dhe mbrojtja e mjedisit janë tregues të matshëm të zhvillimit të qytetit.

Tirana mbetet jashtë garës për Kryeqytetin e Gjelbër Europian për shkak të mosanëtarësimit të Shqipërisë në programin LIFE të Bashkimit Europian.

Megjithëse Komisioni Europian njoftoi nisjen e negociatave me Shqipërinë në korrik 2022, katër vjet më vonë vendi ende nuk është pjesë e programit. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut u anëtarësua në vitin 2023 dhe Mali i Zi në vitin 2025, duke u krijuar mundësinë qyteteve të tyre të konkurrojnë për titullin.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Nga pallatet historike te suitat në shpella, hotelet europiane që spikasin për vitin 2027

Për disa udhëtarë, hoteli është thjesht vendi ku kalojnë natën. Për të tjerë, ai mund të jetë vetë arsyeja për të zgjedhur një destinacion. Lista e...

2 days më parë 3 Min Lexim

Fytyra e re e tregut të veshjeve  

Tregu i retail-it të veshjeve në Shqipëri po ndryshon gradualisht “fytyrë”. Konsumatori vendas po kërkon më shumë vlerë për paratë që shpenzon për ...

3 days më parë 16 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!