Sulmet kibernetike ndaj sistemeve frigoriferike shqetësojnë Europën: si ndryshohet temperatura nga distanca dhe çfarë masash duhen marrë

Siguria e ushqimeve në Europë po përballet me një rrezik të ri kibernetik. Duke hyrë në sistemet elektronike që kontrollojnë frigoriferët dhe ngrirësit, hakerët mund t’ua ndryshojnë temperaturën nga distanca dhe të shkaktojnë prishjen e produkteve.

Në Greqi janë zbuluar më shumë se 300 sisteme të ekspozuara në internet, të cilat mund të shënjestrohen nga sulme të tilla. Raste të ngjashme janë raportuar në Athinë, Artë, Janinë, Prevezë dhe Kretë. Shqetësimi është rritur pas ndërhyrjeve në sistemet e ftohjes të disa bizneseve.

Të lidhura

None found

Në vend që të vjedhin të dhëna ose të kërkojnë shpërblim, siç ndodh në sulme të tjera kibernetike, autorët e këtyre ndërhyrjeve ndryshojnë parametrat e temperaturës. Ushqimet mund të shkrihen e të prishen, duke u bërë të papërshtatshme për konsum.

Për ta kryer sulmin, nuk është e nevojshme që hakerët të futen në një supermarket, magazinë apo ambient tregtar. Atyre u mjafton qasja në sistemin elektronik të instalimeve frigoriferike për të ndryshuar temperaturën e punës. Eksperti i sigurisë në internet, Nikos Vasilakos, tha për “Newsbomb” se pasojat mund të përfshijnë dëme ekonomike për bizneset, si edhe pasiguri e shqetësim te konsumatorët.

Vasilakos vëren se shumë pajisje dhe instalime lidhen me internetin për t’u menaxhuar më lehtë, por nuk kanë të njëjtin nivel mbrojtjeje si kompjuterët.

Çfarë duhet të kontrollojnë konsumatorët?

Eksperti u kërkon qytetarëve të mos bien në panik dhe të mos bëjnë blerje masive. Ai i këshillon, megjithatë, të jenë të vëmendshëm kur zgjedhin produkte të ngrira.

Ushqimet e ngrira të ngjitura në një masë të vetme, ambalazhet e deformuara ose shenja të tjera të shkrirjes dhe ngrirjes së përsëritur janë arsye për të shmangur blerjen. Ato mund të tregojnë se zinxhiri i ftohjes është ndërprerë.

Edhe bizneset me sisteme frigoriferike të lidhura në internet duhet të tregojnë kujdes. Ato këshillohen të verifikojnë kush mund të hyjë nga distanca në pajisjet e tyre dhe sa të sigurta janë instalimet.

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike në Greqi ka theksuar rëndësinë e shkëputjes së sistemeve të ftohjes nga interneti publik, për të parandaluar hyrjet e paautorizuara.

Asnjë grup nuk ka marrë deri tani përgjegjësinë për sulmet. Nuk janë konfirmuar as prova se qëllimi i tyre është vjedhja e të dhënave apo përfitimi financiar. Megjithëse janë ngritur dyshime për përfshirjen e grupeve të organizuara, nuk ka prova që të vërtetojnë lidhje të mundshme me shtete si Rusia apo Kina.

Sipas ekspertëve, sulme të kësaj natyre mund të përsëriten. Për këtë arsye, forcimi i sigurisë kibernetike të sistemeve të ftohjes konsiderohet i domosdoshëm për bizneset dhe mbrojtjen e konsumatorëve.


Shtuar më 4.11.2026 09:13

Quantcast