Influencuesi amerikan Liam Fitzgerald ka humbur jetën në moshën 29-vjeçare pas një aksidenti me motor, që ndodhi mëngjesin e së premtes, më 30 tetor. Lajmi i trishtë u bë publik nga e dashura e tij, Jamie Lynn Rinaldi, ndërsa dy ditë pas ngjarjes, familjarët e tij kanë ndarë një dedikim prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar jetën dhe personalitetin e 29-vjeçarit.

Në reagimin e publikuar më 1 nëntor në llogarinë personale të Fitzgerald në Instagram, familja e përshkroi atë si një njeri plot energji, me një zemër të madhe dhe aftësinë për të ndriçuar çdo ambient ku ndodhej. Mes të tjerash, ata zbuluan se influencuesi kishte luftuar herë pas here me problemet e alkoolit gjatë jetës së tij.

“Liam ishte një dritë që ndriçonte gjithçka përreth. Ai kishte aftësinë të sillte gëzim në çdo ambient ku hynte, një personalitet të pamundur për t’u harruar dhe një zemër që dashuronte fort. Nga familjarët dhe miqtë te shokët e skuadrës, njerëzit që takonte rastësisht dhe persona nga e gjithë bota, ai frymëzoi shumë njerëz”, thuhet në dedikimin e familjes.

Ata theksuan se Fitzgerald nuk kishte qenë i përsosur, por gjithmonë ishte përpjekur të përmirësohej dhe të bëhej një version më i mirë i vetes. “Puna dhe përkushtimi i Liamit ishin të jashtëzakonshme. Ai e donte xhirimin, krijimin dhe montazhin e videove për të ndarë përvojat e tij dhe për të frymëzuar të tjerët. Donte që të gjithë të besonim se, pavarësisht sa e vështirë bëhet jeta, mund të ngrihesh gjithmonë dhe të bëhesh një version më i mirë i vetes”, vijon mesazhi.

Fitzgerald jetonte në Miami dhe kishte ndërtuar një komunitet të madh ndjekësish në rrjetet sociale, me rreth një milion ndjekës në Instagram dhe mbi 350 mijë në TikTok. Ai publikonte kryesisht përmbajtje mbi fitnesin, stilin e jetesës dhe motivimin, ndërsa punonte edhe si trajner personal. Ndërkohë, e dashura e tij ka zbuluar se pak para aksidentit, çifti kishte vendosur të rikthehej së bashku pas një periudhe të vështirë në marrëdhënien e tyre. Ata kishin zgjedhur ta mbanin të fshehtë ribashkimin, për t’u përqendruar te e ardhmja e tyre.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të tjera lidhur me rrethanat e aksidentit. “Liam, ishe i veçantë dhe i papërsëritshëm. Shkëlqeje kaq shumë dhe bota është më e zbehtë pa ty”, përfundon dedikimi prekës i familjarëve.