Detaje të reja kanë dalë nga vdekja misterioze e 62-vjeçarit Urim Fiku në fshatin Godvi të Bulqizës. Fillimisht u dyshua se i moshuari ishte sulmuar nga një ari, ndërsa tashmë hetimet kanë marrë një tjetër drejtim, pasi ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar një plagë të dyshuar nga armë zjarri në kraharorin e tij.
Viktima kishte dalë në pyll për të kullotur dhitë, por pas ngjarjes kishte arritur të kthehej në banesë. Familjarët kërkuan ndihmë mjekësore, duke dyshuar se ai ishte sulmuar nga një kafshë e egër. Ambulanca dhe Policia mbërritën në banesë, por 62-vjeçari ndërroi jetë në spital. Trupi i tij u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku u zbulua plaga që ngriti dyshimet për një vrasje të mundshme.
Pas këtij konstatimi, Policia po heton edhe pistën e vrasjes, ndërsa 11 persona janë shoqëruar për t'u marrë në pyetje. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa ende mbetet mister se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në pyllin e Godvisë.