Wednesday / November 4 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Rajoni

Serbi, nis falimentimi i Alta Banka, dyshime për përvetësimin e 383 milionë eurove

Share Share Icon

Gjykata e Beogradit ka vendosur nisjen e procedurave të falimentimit për Alta Banka, një nga bankat më të mëdha në Serbi, pas përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes financiare dhe arrestimit të tre drejtuesve e punonjësve të saj, të dyshuar për përvetësimin e rreth 383 milionë eurove.

Agjencia Serbe e Sigurimit të Depozitave njoftoi më 3 nëntor se është caktuar administratore e falimentimit, ndërsa banka shtetërore Banka Poštanska Štedionica do të jetë përgjegjëse për kthimin e depozitave të siguruara të klientëve.

Vendimi vjen pasi Banka Kombëtare e Serbisë (NBS) i hoqi licencën e ushtrimit të aktivitetit Alta Banka më 31 tetor, për shkak të përkeqësimit të konsiderueshëm të pozicionit të saj financiar.

Më 2 nëntor, Prokuroria për Krimin e Organizuar arrestoi tre zyrtarë të bankës, mes tyre një drejtues ekzekutiv, përgjegjësin e Departamentit të Thesarit dhe Menaxhimit të Parasë, si dhe një punonjës të operacioneve të thesarit.

Ata dyshohen për përvetësimin e rreth 45 miliardë dinarëve serbë, ekuivalente me 383 milionë euro, nga kasaforta e bankës.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave njoftoi se deri më 6 nëntor do të publikojë datën e fillimit të pagesave për depozituesit. Klientët do të kenë një afat prej tre vjetësh për të kërkuar kthimin e fondeve të siguruara.

Skema e sigurimit mbulon depozitat e individëve, sipërmarrësve dhe bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, deri në 50 mijë euro për depozitues, pavarësisht monedhës apo llojit të llogarisë bankare.

Sipas Agjencisë, Fondi i Sigurimit të Depozitave ka mjete të mjaftueshme për të përballuar të gjitha detyrimet ndaj depozituesve të siguruar të Alta Banka.

Banka e nëntë më e madhe në Serbi

Alta Banka renditej e nënta për nga madhësia e aktiveve mes 19 bankave që operonin në Serbi. Në fund të korrikut 2026, aktivet e saj arritën në 215 miliardë dinarë, me një pjesë tregu prej rreth 3%, sipas të dhënave të Bankës Qendrore.

Banka kishte 19 degë në Serbi dhe mbi 500 punonjës në fund të vitit 2025.

Alta Banka është në pronësi të plotë të Alta Group, grup financiar që zotërohet 100% nga biznesmeni serb Davor Macura, i cili është gjithashtu kryetar i Bordit të Drejtorëve të bankës.

Institucioni e ka origjinën nga ish-Banka Jugosllave për Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar (Jubmes). Në vitin 2019, shteti serb shiti pjesëmarrjen e tij prej 28.51% në Jubmes te Alta Pay Group, sot Alta Group. Në vitin 2020, banka ndryshoi emrin në Alta Banka dhe më vonë kaloi tërësisht në pronësi të grupit.

Sipas pasqyrave financiare, në vitin 2025 Alta Banka realizoi të ardhura prej 6.3 miliardë dinarësh dhe fitim neto prej 1.4 miliardë dinarësh, nga përkatësisht 5 miliardë dinarë të ardhura dhe 1.6 miliardë dinarë fitim neto në vitin 2024.

Pra, ndërsa të ardhurat u rritën me 26%, fitimi neto ra me 12.5%, përpara përkeqësimit të gjendjes financiare që çoi në heqjen e licencës dhe nisjen e procedurave të falimentimit./ See News

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Lëvizja studentore e Serbisë rrëzoi një gjigant politik. A mund ta qeverisë tani vendin?

Duke larguar nga pushteti udhëheqësin shumëvjeçar Aleksandar Vuçiç në zgjedhjet e së dielës, lëvizja protestuese studentore e Serbisë arriti atë që...

Oct 27, 2026 6 Min Lexim

Ballkani Perëndimor, rritja ekonomike do të përshpejtohet; ulja e kostove tregtare nxit punësimin

Rritja ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet në vitin 2026 dhe të forcohet më tej në vitin 2027, e mbështetur nga kons...

Oct 27, 2026 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!