Nga Boldnews.al
Gentian Sula, pronari i kompanisë së ndërtimit “Agi Kons”, rrezikon nga 1 deri në 5 vjet burgim, nëse gjykata konfirmon provat e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit aktiv”, si pjesë e dosjes ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Megjithatë, përpara se të bëjë betejën ligjore për të shmangur burgimin, sipërmarrësi Sula do të administrojë plot 11 milionë euro të Buxhetit të Shtetit, për ndërtimin, pikërisht, të një Institucioni të Ekzekutimit të Veprave Penale (IEVP).
Pak ditë më parë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur rezultatet e procedurës tenderuese me objekt “Ndërtimi i Godinës së spitalit për personat me Mjekim të Detyruar me Vendim Gjykate në IEVP Shënkoll Lezhe”.
Fondi limit për këtë procedurë ishte 1 miliardë lekë të reja ose rreth 11.4 milionë euro. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, fitues i shpall një bashkim operatorësh, i udhëhequr nga kompania “Agi Kons”.

Grupi i përbërë nga “Agi Kons”, “Colombo” dhe “Deha” u shpallën fitues me ofertën 786.717.225 lekë të reja, pasi më parë Operatori i Blerjeve skualifikoi katër kompani të tjera që paraqitën vlerë më të ulët. Në dokumentat zyrtare, autoriteti kontraktor thotë se shoqëritë e skualifikuara nuk plotësonin kriteret kualifikuese.
“Agi Kons”, kompani “angleze”
Kompania e ndërtimit “Agi Kons” është një ndër më aktivet në tregun shqiptar prej shumë vitesh. Ajo është regjistruar në vitin 2002 dhe, prej një periudhe shumë të gjatë, ka qenë në pronësi të sipërmarrësit Gentian Sula, si invidiv.
Në dhjetor të vitit 2024, “Agi Kons” ndryshon pronarin në letra. Aksioneri i saj kryesor, Gentian Sula ia kalon pronësinë një subjekti tregtar, të regjistruar në juridiksionin e Britanisë së Madhe.
Pronari i ri i “Agi Kons” është “UK Development Holding Limited”. Megjithatë, nga dokumentat e konsultuar nga “Boldnews.al”, rezulton se pronari fundor i shoqërisë së regjistruar në Angli është sërish Gentian Sula.

Në Aktin për ndryshimin e pronësisë, të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) thuhet se: “Ortaku i vetëm miraton shkëmbimin e kuotës së Shoqërise angleze ‘UK Development Holding Limited’ në vlerën 12.652.449 Paund Britanik (GBP) me kuotën e shoqërise shqiptare ‘Agikons’ shpk, me kapital 1.501.000.000 Lekë, e cila përbën 100% të pjesëmarrjes në kapitalin e shoqërisë”.
Më tej, në atë vendim thuhet se “në përfundim të transaksionit, shoqëria do të ketë ortak të vetëm z. Gentjan Sula…”.
Gent Sula në dosjen “Veliaj
Biznesmeni Gentian Sula konsiderohet nga Prokuroria e Posaçme si një ndër personazhet e rëndësishme në dosjen hetimore ndaj kryetarit në detyrë të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sula akuzohet zyrtarisht për kryerjen e “Korrupsionit aktiv të të zgjedhurve vendorë”, një vepër e parashikuar në nenin 245 të Kodit Penal dhe ka një marzh dënimi nga një deri në pesë vjet.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) thotë se Gentian Sula ka bërë përpjekje për të fshehur një apartament të padeklaruar, në pronësi reale të Erion Veliajt.
Në narrativën e ndërtuar nga prokurorët e SPAK-u, sipërmarrësi Gentian Sula ka hyrë në raporte korruptive me kryebashkiakun e Tiranës, në këmbim të lejeve të ndërtimit që merrte nga institucioni i drejtuar nga Veliaj.
Dollapi zbuloi apartamentin
Prokuroria e Posaçme thotë se fillesa për zbulimin e një apartamenti të fshehur nga Erion Veliaj, një kat mbi banesën e tij zyrtare tek zona e ‘Kodrës së Diellit”, ka qenë një dollap.
Në kuadër të hetimeve për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxe, për veprat penale të korrupsionit e pastrimit të parave, prokurorët kanë administruar të dhënat e një mobilieri, Arlind Kodra.
Ky i fundit ka mbajtur në kompjuterin e tij të dhënat mbi punimet që ka kryer për llogari të Ajola Xoxes në shtëpinë e saj tek Kodra e Diellit, si edhe në një vilë në Qerret.

Mes të dhënave kompjuterike, prokurorët kanë identifikuar informacion, të shënuar me emërtimin “kati lart”. Mobilieri është pyetur për këtë informacion dhe ka deklaruar se është shoqëruar në vitin 2021 nga Ajola tek një apartament, që gjendet mbi shtëpinë ekzistuese të saj, ku ka marrë masat për realizimin e disa dollapëve.
Ai ka deklaruar se për këtë apartament ka ndërtuar vetëm një dollap. Prokuroria e Posaçme, mbi bazën e këtij informacioni, si edhe të dhënave të tjera indirekte, ka kryer një kontroll mbi këtë apartament, që gjendet në katin e pestë, saktësisht mbi banesën ku jetojnë Ajola Xoxe dhe Erion Veliaj.
Në 14 Prill 2025, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen një kontroll në apartamentin mbi banesën zyrtare të Erion Veliajt.

Fotot e kryera nga agjentët e Byrosë së Hetimit gjatë kontrollit në këtë banesë iu paraqitën mobilierit Arlind Kodra. Ky i fundit u shpreh se dollapi që gjendet në shtëpinë e dhënë me qira ishte pikërisht ai që kishte bërë ai më parë, pas bisedës me Ajola Xoxen.
Mbi bazën e kësaj të dhëne, prokurorët iu rikthyen sërish komunikimeve telefonike, të cilat kishin sekuestruar më herët nga personat nën hetim.
Në ato komunikime zbuluan mesazhe të shkëmbyera mes Ajolës dhe arkitektit Olsi Eftimi, mik i familjes dhe njëkohësisht personi që ka kontribuuar në arredimin e banesave të familjes Xoxe-Veliaj, në Tiranë dhe Qerret.
Në ato komunikime u evidentuan biseda, të cilat lidheshin pikërisht me apartamentin sipër banesës së Ajolës dhe Veliajt. Aty flitej për mundësinë e krijimit të shkallëve të brendshme, të cilat do të lidhnin dy apartamentet e të tjera detaje teknike.
Arkitekti Olsi Eftimi ka pranuar para prokurorëve se ka shkuar në atë apartament, por vetëm për të kryer disa rregullime, pasi pikonte ujë në tavanin e shtëpisë së Ajolës. Megjithatë, Prokuroria e Posaçme deklaron se ka shumë të dhëna të tjera, të cilët i kanë krijuar bindjes se ai apartament është një pasuri e fshehur e Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës.
LEXO EDHE:
Apartamenti i fshehur i Veliajt, Gjykata e Lartë rrëzon Gent Sulën. Mbetet në sekuestro
SPAK: Gentian Sula tentoi të fshehë apartamentin sekret të Veliajt te “Kodra e Diellit”












