Avioni që transportonte Vulinin dhe u kthye në Beograd, mbërrin në Moskë

4 Nëntor 2026 | 11:05

Avioni i kompanisë Air Serbia, i cili të martën në mbrëmje u kthye në Beograd gjatë fluturimit për në Moskë për kontrolle shtesë të sigurisë, mbërriti në kryeqytetin rus të mërkurën në mëngjes.

Në mesin e udhëtarëve të fluturimit fillestar ishte edhe politikani prorus dhe ish-zyrtari i lartë serb, Aleksandar Vulin, por nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ai hyri sërish në avion, pas kthimit në Beograd.

Kryeredaktori i portalit të aviacionit Tango Six, Petar Vojinoviq, shkroi në rrjetin X se avioni i fluturimit JU134 mbërriti në Moskë pas shtatë orësh vonesë, me ekuipazh të ndërruar për shkak të rregullave për orarin e punës, por me “të njëjtët udhëtarë, që rezultuan të ishin më shumë se interesantë”, raportoi Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

Avioni i kompanisë Air Serbia u kthye në Beograd të martën në mbrëmje, pasi kompania, sipas njoftimit të saj, kishte marrë informacione nga shërbimet e aeroportit që kërkonin kontrolle shtesë të sigurisë për një udhëtar.

Aleksandar Vulin, i cili ndodhet në listën e sanksioneve amerikane për shkak të lidhjeve me Kremlinin, mohoi raportimet jozyrtare se nuk kishte kaluar kontrollin e nevojshëm të sigurisë në Aeroportin “Nikolla Tesla”, në Beograd.

Pas kthimit të avionit, ai i tha tabloidit Informer se bëhej fjalë për një “përpjekje për hakmarrje politike” ndaj tij.

Vulin tha se po udhëtonte zyrtarisht drejt Moskës për të diskutuar marrëveshjen e furnizimit të Serbisë me gaz.

“Natyrisht, gjithçka është gënjeshtër. Kjo është vetëm një formë abuzimi dhe një përpjekje për t’ua dëshmuar pushtetarëve të rinj se sa shumë janë në mbrojtje të ideologjisë së tyre, madje edhe këtu, në aeroportin tonë”, tha ai.

Drejtori i kompanisë Srbijagas, Dushan Bajatoviç, i cili ndodhej në të njëjtin avion, i tha televizionit N1 se pas kthimit në Beograd, të gjithë udhëtarët dhe bagazhet e tyre iu nënshtruan kontrolleve të hollësishme të sigurisë.

Edhe pse në avion ndodheshin Vulin dhe Nenad Popoviq, ministër pa portofol në Qeverinë teknike të Serbisë, i njohur për qëndrimet proruse, Bajatoviç tha se nuk i dinte arsyet e udhëtimit të tyre.

Ai shtoi se udhëtimi i tij drejt Rusisë lidhej me problemet në furnizimin me gaz dhe në qarkullimin e pagesave, pas rastit të bankës Alta.

Kjo bankë iu nënshtrua falimentimit më 3 nëntor, një ditë pasi pronari i saj, Davor Macura, u arrestua nën dyshimin se kishte nxjerrë nga kasaforta e bankës qindra miliona euro në para të gatshme.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Aeroplani me Vulinin niset drejt Moskës, por urdhërohet të kthehet në Beograd

Aeroplani i kompanisë Air Serbia, me të cilin po udhëtonte kryetari i Lëvizjes Socialiste Aleksandar Vulin drejt Moskës, është kthyer në Beograd për shkak të...
09:27 | 04/11/2026

Kurti pret sot ambasadorin e BE-së, Dirk Schuebel, Komisioni Evropian dorëzon Raportin për Kosovën 2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të zhvillojë një takim me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel. Gjatë takimit, ambasadori...
09:09 | 04/11/2026

Goditet grupi kriminal ndërkombëtar në Kosovë, sekuestrohen 37 kilogramë heroinë dhe arrestohen pesë persona

Një grup kriminal ndërkombëtar është goditur në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Lajmin e ka...
08:27 | 04/11/2026