Nga mësues i shkollës fillore në miliarder, historia e jashtëzakonshme e 62-vjeçarit në Kinë

04/11/2026 11:35

Një ish-mësues i shkollës fillore është bërë një nga miliarderët më të rinj në Kinë, pas debutimit në bursë të kompanisë së tij, e cila prodhon shirita ngjitës dhe produkte të tjera për gjigantët e teknologjisë, raporton “Forbes”.

Michael Mai, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë “Crown New Materials Technology”, hyri në radhët e miliarderëve të martën, kur kompania e tij nisi tregtimin e aksioneve në Bursën e Shenzhenit.

Aksionet e kompanisë u rritën deri në 787%, nga 16.98 juanë (2.55 dollarë) për aksion, sa ishte çmimi në ofertën fillestare, në 150.58 juanë (22.57 dollarë) në pikun e tyre, sipas të dhënave të bursës së Shenzhenit, bursës së dytë më të madhe në Kinën kontinentale.

Sipas “Forbes”, pasuria e Mai vlerësohet në rreth 2.5 miliardë dollarë, bazuar në pjesën e aksioneve që zotëron në kompani. 62-vjeçari, i cili është shtetas australian dhe rezident i përhershëm në Hong Kong, raportohet se më parë ka punuar si mësues i shkollës fillore në qytetin Zhongshan, në jug të Kinës, ku ndodhet edhe selia e kompanisë së themeluar në vitin 2000.

Edhe motra e tij, Mai Huixia, 64 vjeçe, e cila mban pozicionin e zëvendëskryetares së kompanisë, është bërë miliardere. Sipas “Forbes”, aksionet e saj i kanë siguruar një pasuri të vlerësuar në 2 miliardë dollarë.

Pas rritjes së fortë të aksioneve, ato pësuan rënie dhe të mërkurën në mëngjes tregtoheshin me rreth 77 juanë (12 dollarë) për aksion. Rritja e jashtëzakonshme e një dite më parë e detyroi kompaninë t’u bënte thirrje investitorëve, përmes një deklarate, që të “investojnë në mënyrë racionale”.

Kompania ka katër fabrika prodhimi në Kinë dhe një në Vietnam. Sipas faqes së saj zyrtare, ajo është e specializuar në prodhimin e materialeve ngjitëse që përdoren në komponentë të ndryshëm, nga tavanet e automjeteve deri te gjysmëpërçuesit e telefonave inteligjentë. Produktet e saj përdoren nga marka të mëdha ndërkombëtare, përfshirë Tesla dhe Apple.

Ndërkohë, tregjet e aksioneve në Kinë kanë pësuar rënie gjatë muajve të fundit, për shkak të dobësimit të konsumit dhe shqetësimeve për një shpërthim të mundshëm të flluskës së inteligjencës artificiale. Që prej kulmit të arritur në muajin qershor, indekset kryesore kineze kanë rënë me më shumë se 20%, duke hyrë në territorin e një tregu në rënie (bear market).

Në përgjigje të situatës, Pekini injektoi dy javë më parë 19 miliardë dollarë në fondet e tregtuara në bursë (ETF), sipas të dhënave të Bloomberg. Ky ishte ndërhyrja më e madhe e këtij lloji që prej fillimit të vitit 2025, kur tarifat tregtare të presidentit amerikan Donald Trump shkaktuan tronditje në tregjet globale.

Top Channel