Vlorë/ 3 të arrestuar, mes tyre një i dënuar me 20 vite burg për vrasje në Itali

11:43, 04/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tre persona janë arrestuar në Vlorë, të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Mes tyre është Maringlen Doga, 47 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar me 20 vite burg për një vrasje të kryer në vitin 2000 në Ravena të Italisë, ku gjatë një konflikti vrau me thikë një shtetas shqiptar.

Në pranga ka rënë edhe një 49-vjeçar me inicialet Y. D., banues në Bishan, i dyshuar për kultivimin dhe prodhimin e narkotikëve, pasi në banesën e tij u gjetën rreth 12 kilogramë Cannabis Sativa dhe 6 bimë narkotike.

Ndërkohë, një 50-vjeçar me inicialet A. K., banues në Vlorë, dyshohet se ka kryer pesë vjedhje gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026, duke marrë shuma parash, portofol, laptop dhe celularë në subjekte dhe persona të ndryshëm. Të tre janë ndaluar në Vlorë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë.

Njoftimi i Policisë:

DVP Vlorë/Finalizohen 3 operacione policore gjatë 24 orëve të fundit, kapen 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Gjatë operacioneve, u kapën në Vlorë dhe u vunë në pranga:
 ✅1 shtetas i dënuar me 20 vjet burgim, për një vrasje të kryer në Itali;
 ✅1 shtetas i akuzuar për kultivimin dhe prodhimin e rreth 12 kg Cannabis Sativa dhe disa bimëve Cannabis Sativa;
 ✅1 shtetas i akuzuar si autor i 5 vjedhjeve.

Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e shtetasve në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar 3 operacione policore, si rezultat i të cilave janë kapur dhe ndaluar 3 shtetas.

-Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizoi operacionin për kapjen e shtetasit në kërkim Maringlen Doga, 47 vjeç, banues në Vlorë, i cili u lokalizua në lagjen “Pavarësia 3”.
 Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka njohur vendimin e autoriteteve gjyqësore italiane dhe e ka dënuar këtë shtetas, me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Në vitin 2000, në Ravena, Itali, 47-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me thikë një shtetas shqiptar.

-Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Vlorë, finalizoi operacionin për kapjen dhe ndalimin e shtetasit Y. D., 49 vjeç, banues në Bishan, i cili ishte shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, më datë 31.10.2026, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 12 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 6 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

-Seksioni për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Vlorë finalizoi operacionin për kapjen e shtetasit A. K., 50 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim për vjedhje. Ky shtetas dyshohet se gjatë muajve tetor dhe nëntor, 2026, në qytetin e Vlorës, ka vjedhur shuma parash, portofol, laptop dhe celular në subjekte/shtetasve të ndryshëm.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco