Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar sërish brenda ambienteve të burgut të Fierit. Ai është zhvendosur nga sektori A i paraburgimit në sektorin ambulator të të njëjtit institucion. Ky zhvillim vjen pas ankesave të përsëritura të Veliajt, i cili ka pretenduar se i është mohuar kujdesi shëndetësor gjatë qëndrimit në burg. Për këtë çështje ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke theksuar se atij nuk duhet t’i mohohet në asnjë rrethanë e drejta për kontrolle mjekësore. Gjatë kohës që mbahej në paraburgimin e Durrësit, Veliaj pësoi dëmtime në këmbë. Pas transferimit në burgun e Fierit, ai u ankua se nuk ishte marrë parasysh gjendja e tij shëndetësore. Krahas kësaj, kryebashkiaku ka ngritur edhe pretendime të tjera për trajtimin në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier. Ai ka deklaruar se i është mohuar ushqimi dhe uji, takimet me familjarët, si dhe kontakti me avokatin e tij, Plarent Ndreca.