Tre persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale janë arrestuar nga Policia e Vlorës gjatë tre operacioneve të zhvilluara në 24 orët e fundit.
Njëri prej tyre është Maringlen Doga, 47 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar me 20 vite burg për një vrasje të kryer në Itali në vitin 2000. Ai u lokalizua dhe u arrestua në lagjen “Pavarësia 3”.
Sipas Policisë, Doga ka vrarë me thikë një shtetas shqiptar në qytetin e Ravenës, pas një konflikti për motive të dobëta. Vendimi i autoriteteve gjyqësore italiane është njohur nga gjykata shqiptare, e cila e ka dënuar me 20 vite burgim.
Në kuadër të operacionit të dytë u arrestua një 49-vjeçar me inicialet Y. D., banues në Bishan, i dyshuar për kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të banesës së tij, më 31 tetor 2026, policia gjeti dhe sekuestroi rreth 12 kilogramë kanabis dhe gjashtë bimë të dyshuara narkotike.
Ndërsa operacioni i tretë çoi në arrestimin e një 50-vjeçari me inicialet A. K., banues në Vlorë, i dyshuar për pesë vjedhje të kryera gjatë muajve tetor dhe nëntor të këtij viti.
Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash, një portofol, një laptop dhe telefona celularë në subjekte të ndryshme dhe ndaj personave të ndryshëm në qytetin e Vlorës.
Materialet procedurale për të tre rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.