Marta Kos zbulon kur do t’i mbyllë Shqipëria negociatat me BE-në
Shqipëria mund të përmbyllë gjashtë kapituj të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2026, ndërsa 25 kapitujt e mbetur synohet të mbyllen brenda vitit 2027. Ky është afati që pritet të prezantohet nga Komisioni Europian në Parlamentin Europian, në kuadër të planit të ri për zgjerimin e Unionit.
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, pritet të paraqesë sot, në orën 13:00, para eurodeputetëve planin e Komisionit Europian për ecurinë e procesit të zgjerimit dhe perspektivën e vendeve kandidate.
Sipas informacioneve nga Brukseli, Kos do të bëjë të ditur se Shqipëria synon të përmbyllë gjashtë kapituj deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa 25 kapitujt e tjerë deri në fund të vitit 2027.
Krahas progresraportit, në Bruksel pritet të prezantohet edhe dokumenti i njohur si Udhërrëfyesi, i cili parashikon afate konkrete për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ky plan pritet të përcaktojë më qartë kalendarin e hapave që duhet të ndërmarrin vendet kandidate, duke vendosur objektiva kohore për avancimin e negociatave.
Në rast se afatet e raportuara do të realizohen, Shqipëria do të synojë përmbylljen e të gjithë kapitujve negociues brenda vitit 2027. Megjithatë, mbyllja e negociatave nuk nënkupton automatikisht anëtarësimin në BE, pasi procesi kërkon përmbushjen e kritereve dhe miratimet përkatëse nga vendet anëtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



