Një aksident fatal në vendin e punës i ka marrë jetën një shtetasi me origjinë shqiptare në Itali. Viktima është identifikuar si Bashkim Rushani, 61 vjeç, i cili humbi jetën mëngjesin e së mërkurës në qytetin Casarano, në provincën e Leçes.

Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja ndodhi në lokalitetin Contrada Spagnolo, në rrethana që po hetohen nga autoritetet.

Rushani, i cili ishte pronar i një sipërmarrjeje në sektorin e ndërtimit, u godit nga një portë e rëndë metalike me mekanizëm rrëshqitës, e cila u shkëput dhe u rrëzua mbi të.

Pesha e konstruksionit metalik e la 61-vjeçarin të bllokuar, duke i shkaktuar dëmtime fatale.

Menjëherë pas aksidentit u kërkua ndërhyrja e shërbimeve të urgjencës mjekësore. Ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, por pavarësisht ndërhyrjes së tyre, nuk ishte e mundur të shpëtohej jeta e shqiptarit. Personeli mjekësor konfirmoi vdekjen e tij në vend.

Në zonën ku ndodhi tragjedia shkuan edhe Karabinierët, së bashku me specialistët e SPESAL-it, institucionit italian që mbikëqyr respektimin e standardeve të shëndetit dhe sigurisë në punë.

Hetuesit kanë nisur verifikimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit, duke u përqendruar te shkaqet e shkëputjes së portës metalike dhe kushtet e sigurisë në ambientin ku ndodhej viktima.

Për momentin, mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e konstruksionit, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme dhe rrethanat e plota të ngjarjes.