Aktualitet

Përplasjet në protestë, Demo: Policia përdor pajisje e metoda speciale siç parashikohet në ligj!

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka folur sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme edhe për protestat e dhunshme të zhvilluara disa ditë më parë në Tiranë.

Demo tha se gjatë protestave, dhuna ka qenë me doza shumë të larta, duke rrezikuar edhe dëme të shumta te efektivët e Policisë.

Ai shtoi se Policia përdor pajisje e metoda siç e parashikon ligji, teksa shtoi se uniformat blu janë aty për të mbrojtur të drejtën Kushtetuese dhe për të garantuar sigurinë.

Lidhur me rastet e përdorimit të tepruar të forcës nga ana e Policisë, Demo tha se 9 efektivë janë pezulluar gjatë protestave, ndërsa 50 raste janë nën hetim në AMP.

“Policia përdor pajisje e metoda siç parashikohet në ligj. Kur flasim për dhunën, dhuna duhet dënuar. Policia është aty për të mbrojtur të drejtën kushtetuese dhe për ta garantuar sigurinë, por është e padrejtë që të mbrojmë edhe dhunën që është me doza shumë të larta, që mund të japin dëmtime të rënda te efektivët. Kemi 9 efektivë të pezulluar, për veprime individuale që kanë bërë, 50 raste janë nën hetim nga AMP, policia është duke bashkëpunuar me prokurorinë për rastet e referuara. Jemi të hapur ndaj çdo hetimi, jemi të vendosur që t’i shkojmë në fund çdo rasti dhune ndaj policëve dhe institucioneve”, tha mes të tjerash Demo.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.