Vdekja tragjike e futbollistit të Tenerife, Jesus de Miguel Alameda, ka marrë një tjetër zhvillim. Policia spanjolle ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, duke u përqendruar jo vetëm te përplasja fatale me portierin e Andorrës, Jesus Owono, por edhe te mënyra se si u dha ndihma e parë mjekësore në fushën e lojës.
Sipas raportimeve të mediave britanike dhe spanjolle, njësia e hetimit të vrasjeve në Santa Cruz de Tenerife ka hapur një dosje për këtë rast. Autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë e një vepre penale për vdekje të shkaktuar nga pakujdesia, megjithëse ekspertët ligjorë nuk presin që portieri Owono të përballet me akuza penale, pasi përplasja ndodhi gjatë një aksioni të lojës. Megjithatë, ai mund të rrezikojë një pezullim të gjatë sportiv.
Në qendër të hetimit është edhe reagimi i stafit mjekësor. Hetuesit po verifikojnë nëse futbollistit iu dha oksigjen menjëherë pas humbjes së ndjenjave, nëse defibrilatori u përdor që në momentet e para dhe nëse transportimi drejt ambulancës u krye sipas protokolleve të sigurisë. Sipas gazetës spanjolle “El Día”, po shqyrtohen edhe pamjet filmike të publikuara në rrjetet sociale, pasi dyshohet se mund të ketë mospërputhje mes raporteve mjekësore dhe provave të tjera të mbledhura.
Një prej pikave që po hetohet lidhet me transportimin e futbollistit mbi një barrelë speciale për imobilizimin e shtyllës kurrizore. Sipas raportimit, ai është transportuar nga mesi i fushës drejt ambulancës nga persona që lëviznin me vrap, një mënyrë që ngre pikëpyetje për respektimin e protokolleve mjekësore.
Gjithashtu, hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse gjatë reanimimit në fushë De Miguel mori oksigjen përmes maskës ose pajisjeve të posaçme. 30-vjeçari pësoi një goditje të rëndë me gju në kraharor nga portieri Oëono, në minutat shtesë të ndeshjes Tenerife-Andorra, e cila ishte 2-2. Ai pësoi arrest kardiak, por arriti të rikthehej në jetë pas ndërhyrjes së mjekëve në fushë. Më pas u transportua me urgjencë në spitalin universitar Nuestra Señora de Candelaria, ku gjendja e tij neurologjike u përkeqësua.
De Miguel ndërroi jetë mëngjesin e ditës së djeshme, rreth orës 08:00, ndërsa klubi i Tenerife konfirmoi lajmin me një mesazh prekës. Partnerja e tij, Maria, dhe vajza vetëm njëvjeçare, Carla, ndodheshin në tribunat e stadiumit kur ndodhi tragjedia. Tashmë, hetimi synon të zbardhë çdo detaj të kësaj ngjarjeje, nga momenti i përplasjes deri te ndërhyrja mjekësore dhe transportimi në spital. Deri në përfundimin e tij, çdo përgjegjësi e mundshme mbetet për t’u përcaktuar nga autoritetet.
