Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka denoncuar efektet e paketës së re fiskale, duke e cilësuar atë si një barrë të shtuar për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Bozdo deklaroi se qeveria, ndërsa propagandon uljen e TVSH-së për disa produkte ushqimore, ka rritur TVSH-në nga 20 në 21 për qind për të gjitha mallrat, ndërsa përfitimi nga ulja nuk do të jetë i plotë për konsumatorët.
Ai kundërshtoi gjithashtu rritjen e taksës mbi dividendin nga 8 në 15 për qind, si dhe uljen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 10 në 5 milionë lekë, duke paralajmëruar rritje të kostove, fitime më të ulëta dhe shtim të informalitetit.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputeti demokrat është taksimi i automjeteve, për të cilin tha se nga 1 janari 2027 shqiptarët do të paguajnë deri në 6 herë më shumë se në Malin e Zi.
Bozdo akuzoi qeverinë se paketa fiskale nuk lehtëson ekonominë, por rrit taksat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta, duke rënduar më tej familjet shqiptare.
Deklarata e plotë:
Nuk po them të kundërtën, por është e maskuar e tëra për një propagandë.
Le të flasim për masën e parë që qeveria ka folur për uljen e TVSH-së së ushqimeve me 6 për qind. E para, nuk e kemi ende listën e ushqimeve që ulet TVSH-ja, por, nga ana tjetër, e ka rritur TVSH-në për të gjithë shqiptarët nga 20 në 21 për qind.
Megjithëse qeveria thotë që këto dy masa kundërbalancohen, e vërteta është që nuk kundërbalancohen. Rritja e TVSH-së me 21 për qind do të na merret e plotë, ndërsa ulja e TVSH-së me efektin 100 për qind nuk ka për të ndodhur, sepse në asnjë rast në eksperiencën botërore nuk transmetohet ulja e plotë, por ajo përthithet edhe nga investitorët.
Pra, nga njëra anë, qeveria flet për ulje, por e pohon edhe vetë se ulja nuk ka për të qenë e plotë dhe nuk ka as mekanizma për ta monitoruar këtë gjë. Nga ana tjetër, e ka rritur TVSH-në e të gjitha mallrave, edhe të ushqimeve, nga 20 në 21 për qind, por këtë qeveria do të na e marrë të plotë.
Për sa i përket dividendit, rritjen e dividendit nga 8 në 15 për qind ministri u detyrua ta justifikonte duke thënë: "E kemi sa vendet e rajonit". Unë them që kjo nuk është e vërtetë.
Ka vende të rajonit si Maqedonia, ku është 10 për qind tatimi mbi dividendin, Kroacia 12 për qind, Kosova e ka 0 për qind. Dhe një vend si Shqipëria, që ka nevojë për kapital dhe rritje të investimeve, e rrit dividendin duke e çuar në limitet e fundit të rajonit, në nivelet e vendeve që janë më të konsoliduara se ne. Mali i Zi dhe Serbia e kanë 15 për qind.
Sigurisht, nuk është lajm i mirë as për bizneset, as për nevojat e ekonomisë për investime.
Pyetjes se çfarë do të thotë efekti i të gjithë paketës fiskale mbi një familje me mesatare shqiptare, me burrë dhe grua të punësuar, me paga neto mesatare 600 mijë lekë të vjetra në muaj dhe me dy fëmijë, në llogaritë tona kjo paketë e rëndon një familje të mesme shqiptare.
Ia kërkuam këtë informacion ministrit, por ministri nuk dha asnjë lloj shpjegimi.
Unë them që, kur dizenjohen paketa të tilla fiskale, sigurisht që duhet të ketë edhe kalkulime se si preken shtresa të ndryshme të popullatës.
Debat pati edhe për çështjen e përfshirjes dhe uljes së pragut të TVSH-së për biznesin e vogël, nga 10 milionë në 5 milionë.
Argumentet janë në favor të mosuljes, praktikisht. Kjo qeveri, brenda 10 vitesh, e ka ndryshuar tri herë pragun. E ndryshoi në vitin 2018, kundër porosisë së FMN-së, duke e ulur nga 5 milionë në 2 milionë. E rriti në vitin 2021, prapë kundër porosisë së FMN-së, duke e çuar nga 2 milionë në 10 milionë, dhe tani do ta zbresë në 5 milionë.
Po çfarë do të thotë kjo për bizneset, veçanërisht për biznesin e vogël, që është 95 për qind e të gjithë ekonomisë shqiptare? Vërtet TVSH-ja shkarkohet te konsumatori, por të gjitha këto biznese do të kenë kosto shtesë. U duhet të mbajnë një financier për të bërë llogaritë, u duhet të mbajnë kasën, u duhet të përballen me inspektimin. Të gjitha këto kosto shtesë janë shumë të rëndësishme për biznesin e vogël, sepse ai operon me masa shumë të ulëta fitimi.
Kjo detyrimisht do të çojë në dy drejtime: e para, në një informalitet shtesë, sepse ne kemi parë herë tjetër që, kur shtohet ngarkesa fiskale dhe rregullatore, ndahen NIPT-et; dhe e dyta, në kosto dhe fitime më të ulëta për ta dhe kosto më të rritura për vetë bizneset.
Propagandohet me forcë, siç tha edhe kryeministri, si një zgjedhje e madhe, një ndihmë e madhe e ekonomisë, heqja e taksës së karburantit gjatë taksës së qarkullimit nga pompa e karburantit dhe marrja e saj te kontrolli.
Qeveria do të mbledhë më shumë taksa, apo pesë herë më shumë taksa për automjetet?
Dikush mund të thotë: Po, kjo është e vërtetë, sepse nuk do ta marrim më taksën e qarkullimit te karburanti, por do ta çojmë atje. E para, njëherë, nuk jemi të sigurt nëse ulja e çmimit të karburantit do të ndodhë në sasinë që ka parashikuar qeveria. E dyta, taksat për makinat në Shqipëri bëhen kaq të shtrenjta, saqë jemi në një diferencë të madhe me vendet e tjera, të cilat nuk mbledhin taksë qarkullimi te pompa e karburantit, ashtu siç nuk do ta mbledhë Shqipëria pas 1 janarit 2027.
T'ju them disa të dhëna me taksat e reja të makinave:
Një makinë me konsum mesatar do të paguajë 2 herë më shtrenjtë se makinat e regjistruara në Serbi.
2,1 herë më shtrenjtë se makinat e regjistruara në Kosovë.
4,2 herë më shtrenjtë se makinat e regjistruara në Maqedoni.
6 herë më shtrenjtë se makinat e regjistruara në Malin e Zi.Paketa fiskale është një mashtrim i madh. Të gjitha masat që merren këtu çojnë në ngushtimin e marzhit të fitimit të bizneseve, në rritjen e taksave, veçanërisht të taksave jo të drejtpërdrejta, dhe në shtrenjtimin e jetës sonë.
© SYRI.net