Skema e pagesave me karta dhe infrastruktura e tregut financiar ishin në fokus të Konferencës së 8-të Ndërkombëtare në Tiranë.
Sipas Guvernatorit Gent Sejko Banka e Shqipërisë ka patur si objektiv uljen e përdorimit të parasë fizike dhe përafrimin me standardet evropiane.
“Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 29 në vit, krahasuar me 5 një dekadë më parë, ndërsa ritmi i rritjes së tyre është rreth 25% në vit. Kartat në qarkullim kanë arritur në 1.6 milionë”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Një tjetër prioritet strategjik është zhvillimi i pagesave të menjëhershme përmes projektit “TIPS Clone”, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
“Sipas një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë, përdorimi i pagesave elektronike, i mbështetur nga infrastruktura e pagesave të menjëhershme, mund të gjenerojë deri në 38.7 miliardë lekë kursime në vit, ose rreth 1.5% të PBB-së”, tha Sejko.
Nisma si “Shqipëria Cashless”, që synon zgjerimin e pagesave digjitale dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike, janë hapa që kontribuojnë në thellimin e integrimit financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.












