Mesfushori argjentinas Alexis Mac Allister ka zbuluar se Liverpool-i e kishte informuar sezonin e kaluar se nuk kishte në plan t’ia rinovonte kontratën, duke e cilësuar këtë si përvojë të dhimbshme. Megjithatë, prioriteti i tij mbetet vazhdimi i karrierës në “Anfield”.
“Sezonin e kaluar më thanë se synimi i klubit nuk ishte të më rinovonte kontratën, të paktën për momentin. Sigurisht, ishte një situatë e pakëndshme dhe e dhimbshme”, – rrëfeu argjentinasi në një intervistë për gazetarin Gastón Edul.
Kontrata e mesfushorit përfundon në vitin 2028, por ndryshimet e fundit në drejtimin e Liverpool-it mund të hapin rrugën për negociata të reja.
“Jam shumë i lumtur këtu, po kënaqem vërtet dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”, – shtoi ai, i transferuar te Liverpool-i në vitin 2023, me të cilin fitoi Premier League.
Ndërkohë, në sfond mbeten zërat për një interesim të Real Madridit, por Mac Allister preferon të presë zhvillimet në klub përpara se të vendosë për të ardhmen.







