Hungaria hap arkivat sekrete të epokës komuniste, publikohen online dhjetëra mijëra dosje

Autoritetet hungareze kanë vënë në dispozicion të publikut dhjetëra mijëra dosje të fshehta të shërbimeve sekrete nga periudha komuniste, të cilat tani mund të shqyrtohen përmes një platforme dixhitale.

Materialet e zbuluara hedhin dritë mbi rrjetin e gjerë të bashkëpunëtorëve dhe agjentëve që për vite me radhë monitoruan qytetarët në emër të regjimit të asaj kohe.

Të lidhura

None found

Nisja e publikimit u bë më 4 nëntor 2026, një datë me peshë historike, pasi shënon 70 vjet nga hyrja e tankeve sovjetike në Budapest më 4 nëntor 1956, kur u shtyp kryengritja hungareze që kishte shpërthyer më 23 tetor të atij viti.

Kryeministri Peter Magyar e cilësoi këtë hap si realizim të një zotimi të rëndësishëm, duke theksuar se pas më shumë se 36 vjetësh nga shembja e komunizmit, vendi po ecën drejt transparencës dhe përballjes me trashëgiminë e së shkuarës.

“Tani, pas 36 vitesh, po e mbajmë premtimin për ndryshimin e regjimit”, u shpreh Magyar, duke njoftuar se rreth 60 mijë emra janë tashmë të kërkueshëm nga qytetarët.

Një tjetër grup dokumentesh pritet të bëhet publik në shkurt të vitit 2027. Megjithatë, arkivi nuk është i plotë, pasi shumë dosje u asgjësuan gjatë trazirave të vitit 1956 dhe në vitet 1988-1989, pak para rënies së sistemit komunist.

Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që ta trajtojnë me kujdes dhe respekt këtë publikim, duke paralajmëruar se disa informacione mund të jenë të rënda për familjet e personave të përmendur në dokumente.

“I ftoj të gjithë që ta pranojnë këtë hapje të vonuar të arkivave me dinjitet dhe humanizëm, sepse shumë familje do të ndeshen me të dhëna të vështira për një të afërm që nuk jeton më. Nuk mund të përballosh një traumë pa biseda dhe pa pyetje”, tha ai.

Deri tani, aksesi në këto materiale ishte i kufizuar. Përveç studiuesve, individët mund të kërkonin të dhëna vetëm për dosjen e tyre ose të të afërmve të ngushtë. Me rregullin e ri, çdokush do të ketë mundësi të hulumtojë në arkivat e shërbimeve sekrete nëpërmjet faqes online.

Gjatë Luftës së Ftohtë, shërbimet e fshehta në vendet e Evropës Lindore, përfshirë Hungarinë dhe Gjermaninë Lindore, u mbështetën në një rrjet të dendur informatorësh, të cilët rekrutoheshin me anë të shantazhit, frikësimit ose pagesave.

Në Hungari, nga viti 1956 deri në vitin 1989, u regjistruan rreth 55 mijë informatorë të fshehtë. Ata vëzhgonin miqtë, anëtarët e familjes, fqinjët dhe bashkëpunëtorët, duke raportuar çdo shenjë qëndrimi kundër regjimit apo ndikimi perëndimor. Të dhënat e mbledhura shpesh çonin në arrestime dhe marrje në pyetje.

Një pjesë e takimeve klandestine zhvillohej në banesa në qendër të Budapestit, të njohura si “apartamentet K”, të cilat shërbenin si pika takimi midis agjentëve të policisë sekrete dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Dokumentet menaxhohen nga Arkivi Historik i Sigurisë Shtetërore Hungareze dhe përfshijnë emrat e rreth 50-60 mijë personave që bashkëpunuan me shërbimet sekrete të regjimit komunist.

Ndryshe nga Hungaria, shtetet e tjera të ish-bllokut lindor kanë zgjedhur një qasje më të kufizuar ndaj hapjes së arkivave. Polonia i ka bërë dokumentet të disponueshme prej kohësh, por nuk lejon kërkime pa kufizime. Gjermania ka vendosur kufizime për dosjet e Stasit, ndërsa Republika Çeke nuk i ka hedhur të gjitha materialet në një bazë të dhënash online.

Zyrtarët hungarezë theksojnë se transparenca dhe njohja e historisë janë parakushte thelbësore për një shtet demokratik funksional. Megjithatë, disa të dhëna personale të ndjeshme do të mbeten të mbrojtura, përfshirë informacionet mjekësore, të dhënat për varësitë dhe orientimin seksual.


Shtuar më 4.11.2026 13:43

Quantcast