Komisioni Evropian ka prezantuar një dokument të ri strategjik që synon të përshpejtojë integrimin e vendeve kandidate në strukturat e Bashkimit Evropian, pa qenë e nevojshme që ato të presin anëtarësimin e plotë.
Strategjia, e titulluar “Mekanizmat e integrimit gradual përgjatë kapitujve të anëtarësimit” (Gradual Integration Strands Across the Accession Chapters), parashikon që vende si Shqipëria dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor të përfshihen hap pas hapi në politikat, programet dhe agjencitë e BE-së, në varësi të përmbushjes së kritereve dhe reformave.
Dokumenti synon ta lidhë më drejtpërdrejt procesin e negociatave me përfitime konkrete për qytetarët, bizneset dhe institucionet e vendeve kandidate. Kjo do të thotë se, përpara anëtarësimit formal, ato mund të fitojnë qasje në fusha të caktuara të tregut evropian dhe të marrin pjesë në mekanizma e programe të përbashkëta të Bashkimit Evropian.
Gjashtë grup-kapitujt e negociatave
Strategjia mbështetet në strukturën e negociatave të anëtarësimit, të organizuara në 33 kapituj dhe gjashtë grup-kapituj kryesorë: Themeloret, Tregu i Brendshëm, Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme, Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Përmes një mekanizmi të integrimit gradual, vendet kandidate do të mund të avancojnë në fusha të ndryshme, në varësi të progresit dhe përmbushjes së kushteve përkatëse. Dokumenti paraqet edhe një skemë vizuale me fazat e këtij procesi, duke treguar se si përparimi në negociata mund të shoqërohet me përfshirje më të madhe në strukturat evropiane.
Qasje në agjencitë dhe programet e BE-së
Një nga elementet e rëndësishme të strategjisë është mundësia që vendet kandidate të përfshihen në punën e agjencive të Bashkimit Evropian përpara se të bëhen anëtare me të drejta të plota.
Në këtë kuadër përmenden struktura të rëndësishme si Frontex, që merret me menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së; Europol, për bashkëpunimin policor; Agjencia Evropiane e Barnave (EMA); Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian (EASA) dhe Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA).
Strategjia parashikon gjithashtu mundësi më të mëdha pjesëmarrjeje në programet evropiane, si Erasmus+ për arsimin dhe shkëmbimet akademike, Horizon Europe për kërkimin shkencor dhe inovacionin, LIFE për mjedisin, si dhe programet për transportin dhe energjinë përmes instrumentit CEF.
Për Shqipërinë, kjo qasje mund të sjellë përfitime konkrete përpara përfundimit të negociatave të anëtarësimit. Qytetarët, studentët, bizneset, institucionet dhe komuniteti shkencor mund të kenë më shumë mundësi për të marrë pjesë në programe dhe mekanizma evropianë, ndërsa vendi avancon në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit.
Megjithatë, integrimi gradual nuk nënkupton anëtarësim automatik dhe as zëvendësim të negociatave për anëtarësim të plotë. Përfitimet do të varen nga përmbushja e kritereve, zbatimi i reformave dhe përparimi në kapitujt përkatës.
Mekanizmat e integrimit gradual përgjatë kapitujve të anëtarësimit











