Hungaria publikon dhjetëra mijëra dosjeve sekrete të periudhës komuniste, aksesohen për publikun përmes një baze të dhënash Një histori tronditëse dhune në familje po hetohet nga Prokuroria e Milanos, ku një menaxher 51-vjeçar pretendon se është rrahur, izoluar, poshtëruar dhe torturuar nga bashkëshortja e tij për rreth 20 muaj.
Rreth 30 mijë video të regjistruara nga kamerat e sigurisë në varkën e çiftit dyshohet se dokumentojnë episodet e dhunës. Burri, sipërmarrës në sektorin financiar, ka denoncuar ish-bashkëshorten, e cila ishte gjithashtu ortake e tij në biznes. Prokuroria ka kërkuar dërgimin e saj në gjyq për keqtrajtim në familje, plagosje të rënduar për shkak të mizorisë dhe trajtimit çnjerëzor, si dhe shfrytëzim të një personi në gjendje të paaftësisë.
Ngjarja u zbulua më 9 tetor 2024, kur 51-vjeçari u vu re duke u larguar me nxitim në zonën e portit të Saint-Tropez, në Francë. Ai kërkoi strehim në një hotel, por pak më vonë humbi ndjenjat dhe u transportua në spital. Gjendja e tij ishte tepër e rëndë. Në momentin e mbërritjes në spital, ai peshonte vetëm 53 kilogramë.
Dy ditë më vonë, burri u paraqit edhe në urgjencën e spitalit në Legnano të Italisë. Mjekët konstatuan një gjendje të rëndë kequshqyerjeje dhe dëmtimesh fizike, mes tyre plagë në fytyrë, buzë të ënjtura, gërvishtje dhe djegie të shumta nga cigaret.
Djegiet ishin të pranishme edhe në këmbë dhe në pjesët intime të trupit. Mjekët konstatuan gjithashtu se atij i ishin shkulur thonjtë e duarve dhe të këmbëve. Kur u pyet nga personeli mjekësor për atë që kishte ndodhur, ai deklaroi: “Ishte bashkëshortja ime”.
Sipas hetimeve, makthi kishte nisur në shkurt të vitit 2023, kur marrëdhënia mes çiftit ishte përkeqësuar ndjeshëm. Në fillim, gruaja dyshohet se e akuzonte bashkëshortin për frekuentim të prostitutave, varësi nga pornografia dhe për transmetimin e hepatitit B. Sipas hetimeve, pretendimi i fundit ishte tërësisht i pavërtetë.
Me kalimin e kohës, 51-vjeçari dyshohet se kishte filluar të ndihej fajtor dhe të nënshtrohej gjithnjë e më shumë ndaj kërkesave të bashkëshortes. Në denoncimin e tij, ai e ka përshkruar ndryshimin drastik të jetës me një fjali rrëqethëse:
“Më ktheu në një fantazmë”.
Sipas akuzës, gruaja kishte marrë gradualisht kontrollin mbi jetën e tij të përditshme. Ajo dyshohet se i kontrollonte vazhdimisht telefonin, i kishte ndaluar përdorimin e internetit dhe nuk e lejonte të administronte lirisht dokumentet personale dhe paratë.
Gjithashtu, pretendohet se e kërcënonte me pasoja të rënda, duke përdorur edhe çështjen e sëmundjes së pretenduar dhe duke i krijuar frikën se mund të hakmerrej ndaj nënës së tij të moshuar.
Akuzat e ngritura nga Prokuroria përshkruajnë episode të përsëritura dhune fizike dhe psikologjike. Sipas hetimeve, burri dyshohet se rrihej vazhdimisht, madje edhe me një telefon celular, deri në atë pikë sa pësonte gjakderdhje. Në episode të tjera pretendohet se ndaj tij përdoreshin shkelma dhe zinxhirë për qentë. Por poshtërimet nuk përfundonin me dhunën fizike.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga Prokuroria, menaxheri detyrohej të qëndronte i palëvizur në divan, si një bimë, të hante në tasin e qenit dhe madje të urinonte në rrugë.
Një tjetër pretendim tronditës lidhet me fikjen e cigareve drejtpërdrejt në trupin e tij, duke i shkaktuar djegiet e shumta që u konstatuan më vonë nga mjekët. Ai dyshohet se mbahej i mbyllur në banesën e çiftit në Milano ose në varkën që përdornin së bashku, pa pasur mundësi të lëvizte i lirë.
30 mijë video dokumentojnë episodet e dhunës
Një nga elementet më të rëndësishme të hetimit janë rreth 30 mijë regjistrime filmike të sekuestruara nga sistemi i kamerave të sigurisë në varkën e familjes. Sipas Prokurorisë, pamjet dokumentojnë episode të ndryshme dhune dhe poshtërimi ndaj 51-vjeçarit dhe mund të luajnë një rol kyç në rindërtimin e ngjarjeve dhe verifikimin e dëshmive të tij.
Avokatët e biznesmenit e kanë përshkruar periudhën e kaluar me bashkëshorten si një gjendje terrori të vazhdueshëm, duke e cilësuar atë si një përvojë torture. Prokuroria kishte shqyrtuar edhe mundësinë e ngritjes së akuzës për torturë, por në fund vendosi të mos e përfshinte atë për arsye juridike.
Dyshohet se i mori 200 mijë euro nga pasuria
Përveç akuzave për keqtrajtim dhe plagosje të rënduar, ish-bashkëshortes i atribuohet edhe vepra penale e shfrytëzimit të një personi në gjendje të paaftësisë. Sipas hetimeve, gjatë kësaj periudhe ajo dyshohet se ka transferuar rreth 200 mijë euro nga pasuria e biznesmenit në llogarinë e saj bankare.
Aktualisht, 51-vjeçari është kthyer të jetojë me prindërit, ndërsa avokatët e tij kanë kërkuar dëmshpërblim që kalon një milion euro. Çështja ka edhe një tjetër zhvillim: gruaja kishte bërë një kundërdenoncim ndaj bashkëshortit.
Megjithatë, në qershorin e kaluar, gjyqtari i hetimeve paraprake në Milano vendosi pushimin e çështjes, duke e cilësuar denoncimin si një veprim të vonuar, që synonte të ndikonte në hetim pas arratisjes së burrit. Tashmë, Prokuroria ka kërkuar që gruaja të dalë përpara gjykatës për akuzat e ngritura ndaj saj.
Top Channel