Paris Saint-Germain ka nisur të mendojë për të ardhmen e mesfushës dhe në listën e dëshirave të trajnerit Luis Enrique ka përfunduar edhe talenti i Manchester United, Kobbie Mainoo.
Sipas raportimeve të medias spanjolle “Fichajes”, tekniku i skuadrës franceze e konsideron 21-vjeçarin anglez një kandidat të përshtatshëm për të marrë përgjegjësi në mesfushë dhe për të qenë një alternativë afatgjatë për Fabián Ruiz.
Pavarësisht interesimit, deri më tani nuk ka pasur kontakte zyrtare mes dy klubeve dhe asnjë ofertë konkrete për transferimin e lojtarit.
Fabián Ruiz është 30 vjeç dhe ka kontratë me PSG-në deri në vitin 2028, me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër. Megjithatë, Luis Enrique dëshiron të përgatitet që tani për të ardhmen, duke afruar një futbollist të ri, me potencial dhe përvojë në nivelet më të larta.
Mainoo përmbush disa nga kriteret e trajnerit spanjoll. Ai ka luajtur në Premier League, ka përfaqësuar kombëtaren e Anglisë dhe dallohet për aftësinë në rikuperimin e topit, si dhe për kontributin në ndërtimin e aksioneve.
Nga ana tjetër, Manchester United ndodhet në një pozicion të favorshëm negociues, pasi në prill të vitit 2026 rinovoi kontratën e mesfushorit deri më 30 qershor 2031. Mainoo kishte humbur hapësirat gjatë drejtimit të Ruben Amorim, por me ardhjen e Michael Carrick ka rifituar më shumë minuta në fushë.
