Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026 paraqet një vlerësim përgjithësisht pozitiv për ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transformimin digjital, energjinë dhe politikën ekonomike.
“Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, thotë raporti.
Në 127 faqe raport, KE thotë se objektivi për mbylljen e negociatave në 2027-ën është i arritshëm, por gjithsesi ngre disa problematika. Ndonëse vlerëson punën poziitve në SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, KE thotë se sfidë reale për vendin tonë që duhet adresuar mbetet korrupsioni.
Raporti ndalet edhe te mos heqja e imunitetit të ish-zvkryeministres Belinda Ballukut, duke e cilësuar si shqetësim për funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës mes pushteteve.
Protestat në Tiranë përmenden edhe në progres raportin për Shqipërinë, ku theksohet se ato u nxitën nga shqetësimet mjedisore lidhur me investimin e huaj në Zvërnec dhe u shndërruan në një lëvizje më të gjerë për transparencë, llogaridhënie, masa kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë.
“’Ky është mobilizimi më i madh qytetar në Shqipëri që nga tranzicioni demokratik i vendit, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që iu bashkuan protestës në kulmin e saj”, thuhet në raport, duke theksuar se deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog dhe se “të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv”.
Pjesë nga progresraporti për Shqipërinë
Mbikëqyrja e ekzekutivit nga Parlamenti mbeti e dobët. Në shtator 2025, nuk u zhvillua asnjë debat domethënës mbi programin e qeverisë së re. Paraqitjet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ishin të parregullta.
Shumica e nismave legjislative u paraqitën nga Këshilli i Ministrave. Edhe në rastet kur nismat paraqiteshin nga Parlamenti, ato vinin kryesisht nga partia në pushtet. Kjo dobësoi rolin dhe përgjegjësinë e Parlamentit në procesin legjislativ, si dhe kufizoi dialogun ndërmjet forcave politike.
Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare u refuzuan sistematikisht, pa u zhvilluar asnjë debat.
Pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.