Komisioni Europian ngre shqetësime për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, duke vënë në fokus edhe çështjen e Belinda Ballukut, ndaj së cilës SPAK ka ngritur akuza.
Në progresraportin për Shqipërinë, KE thekson se vendimi për të mos i hequr imunitetin Ballukut ngre pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe mbi zbatimin e parimit të barazisë së qytetarëve përpara ligjit.
Kritikat e raportit nuk ndalen vetëm te ky rast. Komisioni Europian evidenton gjithashtu dobësitë në mbikëqyrjen parlamentare ndaj qeverisë, duke vënë në dukje se kontrolli i ekzekutivit nga Kuvendi mbeti i kufizuar.
Pjesë nga progresraporti për Shqipërinë
Mbikëqyrja e ekzekutivit nga Parlamenti mbeti e dobët. Në shtator 2025, nuk u zhvillua asnjë debat domethënës mbi programin e qeverisë së re. Paraqitjet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ishin të parregullta.
Shumica e nismave legjislative u paraqitën nga Këshilli i Ministrave. Edhe në rastet kur nismat paraqiteshin nga Parlamenti, ato vinin kryesisht nga partia në pushtet. Kjo dobësoi rolin dhe përgjegjësinë e Parlamentit në procesin legjislativ, si dhe kufizoi dialogun ndërmjet forcave politike.
Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare u refuzuan sistematikisht, pa u zhvilluar asnjë debat.
Pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.
