Kuvendi refuzoi sistematikisht kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe nuk zbatoi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese. Këto janë ndër problematikat që evidenton Komisioni Europian në progresraportin për Shqipërinë, ku thekson se mungesa e dialogut politik, konsultimeve publike dhe përplasjet mes mazhorancës e opozitës vijuan të kufizonin efektivitetin e Parlamentit dhe kontrollin e tij ndaj qeverisë.

"Parlamenti i ushtron kompetencat e tij, përfshirë kontrollin ndaj ekzekutivit dhe përfshirjen në procesin legjislativ, me efektivitet të pjesshëm. Mungesa e dialogut të mirëfilltë politik dhe e konsultimeve publike, si dhe përplasjet ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës, vijuan të kufizonin efektivitetin e tij. Parlamenti gjithashtu nuk zbatoi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Miratimi me konsensus i ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit ishte një zhvillim pozitiv. Megjithatë, paraqitja e shpeshtë e nismave ligjore nga Këshilli i Ministrave, refuzimi sistematik i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe politizimi i emërimeve në organet kushtetuese apo institucionet e pavarura kontribuuan në kufizimin e mbikëqyrjes së Parlamentit ndaj qeverisë", thuhet në raport. 

Komisioni Europian evidenton gjithashtu se reforma territoriale u miratua pa konsensus mes dy partive kryesore.

“Komisioni i Posaçëm i Përbashkët Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale e përfundoi mandatin në korrik të vitit 2026, pa arritur konsensus dypartiak për reformën e hedhur për konsultim publik. Reforma u miratua në tetor të vitit 2026, mbi bazën e propozimit të shumicës qeverisëse”, thuhet në raport.

KE vëren se në shtator të vitit 2025 nuk u zhvillua asnjë debat domethënës mbi programin e qeverisë së re, ndërsa paraqitjet e ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ishin të parregullta. KE evidenton gjithashtu se shumica e nismave ligjore erdhën nga qeveria, duke dobësuar rolin e Kuvendit në procesin legjislativ.

“Shumica e nismave ligjore u paraqitën nga Këshilli i Ministrave. Kur nismat paraqiteshin nga Parlamenti, ato vinin kryesisht nga partia në pushtet. Kjo dobësoi rolin dhe përgjegjësinë e Parlamentit në procesin legjislativ dhe kufizoi dialogun ndërpartiak”, thuhet në raport.


Lajmi kryesor:

Integrimi/ Progresraporti për Shqipërinë: SPAK rezultate pozitive, por sfidë korrupsioni! Ballukut s’iu hoq imuniteti, shqetësim për balancën mes pushteteve! Duhet dialog konstruktiv për protestat (VIDEO)