Demokratët rimorën bindshëm shumicat në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në zgjedhjet e mesit të mandatit, të mbështetur nga një valë e fuqishme blu, e cila i tejkaloi pritshmëritë.
Por, ndërsa e marta u kthye në të mërkurë dhe disa gara të rëndësishme ende nuk kishin një fitues të shpallur, pyetja kryesore që mbetej ishte nëse shumicat tashmë të konsiderueshme të demokratëve në Kongres do vijonin të rriteshin.
Në betejën për Senatin, demokratët arritën të siguronin shumicën duke fituar vende që më parë kontrolloheshin nga republikanët në Maine, Ohajo, Kansas, Ajoua (Iowa), Teksas, Karolinën e Veriut dhe Karolinën e Jugut. Ata mbrojtën me sukses edhe vendet e lëna bosh në Miçigan dhe New Hampshire.
Ndërkohë, dy gara për vende të kontrolluara më parë nga republikanët në Senat ishin ende tepër të ngushta për të shpallur një fitues.
Në Misisipi, senatorja republikane në detyrë Cindy Hyde-Smith dhe sfiduesi demokrat Scott Colom dukeshin të barabartë. Në Alaskë, senatori republikan në detyrë Dan Sullivan kishte një epërsi të lehtë ndaj ish-përfaqësueses Mary Peltola, ndërsa numërimi i votave vijonte.
Në garën për Dhomën e Përfaqësuesve, falë valës së fuqishme blu, demokratët e kaluan lehtësisht pragun prej 218 vendesh, të nevojshëm për të rimarrë kontrollin e kësaj dhome.
Megjithatë, me shumë gara ende të papërfunduara, pyetja kryesore ishte se sa e madhe do të ishte shumica e demokratëve pasi të numëroheshin të gjitha votat.
Në orët e para të së mërkurës, demokratët kishin fituar 228 vende, kundrejt 139 të republikanëve, ndërsa rezultatet e 68 garave ende nuk ishin përcaktuar.
Në garat për guvernatorë, ende nuk ishin shpallur fituesit në zgjedhjet konkurruese në Alaskë dhe Kansas.
Rezultatet përbënin një goditje të fortë ndaj presidentit Donald Trump dhe Partisë Republikane.
“Populli amerikan e ka kthyer murin e kuq me tulla në një grumbull tullash”, u tha gazetarëve udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, demokrat nga Nju Jorku.
Duke iu referuar asaj që pritet të ndodhë në janar, kur Kongresi i ri të nisë punën, Schumer tha: “Kemi pesë fjalë për popullin amerikan. Lehtësimi është rrugës”.
Por udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, republikan nga Dakota e Jugut, deklaroi: “Ndërsa i afrohemi vitit 2027, republikanët e Senatit nuk do të qëndrojnë duarkryq teksa krahu i ekstremit të majtë, socialist, i Partisë Demokratike përpiqet të zhbëjë gjithçka që kemi bërë”.
Thune tha se republikanët në Senat do të bashkëpunojnë me Trumpin “për të ndaluar prirjet më të këqija të ekstremizmit demokrat. Nuk mund të lejojmë që qëndrimet e tyre margjinale të bëhen qëndrime të zakonshme”.
Gjatë dy muajve të fundit, Trump u kishte bërë vazhdimisht thirrje mbështetësve të tij që të “shtiren sikur unë jam në fletën e votimit”, në përpjekje për të mobilizuar bazën republikane.
Por, ndërsa rezultatet po publikoheshin gjatë mbrëmjes së së martës, presidenti reagoi në rrjetet sociale duke pretenduar: “Unë nuk isha në fletën e votimit dhe, po të kisha qenë, do të kishim fituar ME NJË FITORE DËRRMUESE!”
Disa minuta më vonë, gjatë një interviste në Fox News me moderatorët Bret Baier dhe Martha MacCallum, presidenti vlerësoi partinë kundërshtare, duke thënë: “Mendoj se demokratët bënë një punë të mirë”.
Duke iu referuar shumicave të reja që demokratët do të kenë në Kongres, Trump shtoi: “Mund të bashkëpunoj me ta për shumë çështje”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Fox