Ekspertët dyshojnë se Rusia është përgjegjëse për një sërë kërcënimesh të rreme me bombë, të cilat shkaktuan kaos në fluturimet në Evropë, duke detyruar avionë të shumtë pasagjerësh të kryenin ulje emergjente në aeroporte të ndryshme në të gjithë kontinentin. Të paktën shtatë avionë, përfshirë tre të nisur nga Britania, u vunë në shënjestër të martën, duke ngritur dyshime për një sulm të koordinuar, pas të cilit mund të qëndrojë Moska. Kjo ndodh në një kohë kur shtohen shqetësimet se lideri i Kremlinit e ka zgjeruar luftën e tij hibride kundër NATO-s; ditët e fundit, frigoriferë dhe ngrirës në shtatë vende evropiane janë goditur po ashtu nga një sulm kibernetik. Vetë Putin paralajmëroi javën e kaluar se "nuk do të ketë fitues" nëse ai hyn në një konflikt me Perëndimin. Një fluturim nga aeroporti Heathroë i Londrës për në aeroportin kryesor të Varshavës, "Chopin", u devijua drejt aeroportit të afërt "Modlin". Ky i fundit u mbyll dhe më pas u rihap, pasi avioni u kontrollua dhe nuk u gjet asnjë mjet i dyshimtë. Një tjetër fluturim me destinacion Varshavën, i kompanisë "Scandinavian Airlines" dhe që vinte nga Kopenhageni, u ul në aeroportin "Chopin" sipas orarit të planifikuar. Në momentin e uljes, në vendngjarje ndodheshin policia dhe njësitë e çaktivizimit të eksplozivëve, të cilat konfirmuan se avioni ishte i sigurt. Më vonë gjatë së martës, ekspertë të çaktivizimit të eksplozivëve në aeroportin "Fiumicino" të Romës kontrolluan dy avionë të kompanisë "Ryanair" – njëri që vinte nga Lisbona dhe tjetri nga Dublini – pas njoftimeve anonime për kërcënime të mundshme me bombë. Fluturimi që vinte nga Dublini u shoqërua nga Forcat Ajrore Italiane deri në momentin e uljes.